10 raste me Covid te Kukësi, klubi kërkon të shtyhet ndeshja ndaj Dinamos

Rastet me Covid-19 kanë filluar të prekin edhe ekipet e Abissnet Superiore. Raste pozitive kanë rezultuar te ekipi i Kukësit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi nëpërmjet një komunikate zyrtare në rrjetet sociale.

Në të thuhej se në testet e kryera nga klubi i Kukësit, kanë rezultuar të prekur nga Covid-19, shtatë futbollistë dhe tre anëtarë të stafit teknik. Njëkohësisht, janë edhe disa futbollistë të dyshuar duke qenë se jetojnë në një banesë me të prekurit dhe kanë kontakt të vazhdueshëm.

Në të tilla kushte, të prekurit janë karantinuar në banesat e tyre për të shmangur kontaktet me pjesën tjetër të ekipit. Kukësi ka kërkuar gjithashtu shtyrjen e ndeshjes kundër Dinamos që është programuar të luhet më 15 janar. /oversport.tv