1000 ndeshje si trajner për Mourinho, në Romë i kërkojnë titullin

Në ndeshjen e ardhshme kundër Sassuolo-s në kampionat Mourinho do të arrijë një rekord të veçantë në karrierë, plot 1000 ndeshje si trajner.

Në 23 shtator të vitit 2000, do të debutonte në krye të Benfikës, që sapo kishte shkarkuar Jupp Heynckes. Eksperienca e Mourinho-s tek Benfika zgjati shume pak, vetëm 11 ndeshje, por i hapi rrugën një karriere të gjatë e të mbushur plot me trofe, një prej trajnerëve më të mirë në Botë.

Sukseset me Porton e ngjitën në majën e futbollit Europian, ndërsa eksperiencat me Chelsea dhe Interin i dhanë statusin e një legjende.

Pas eksperiencave pozitive me Realin dhe sezoneve me dritë-hije në Angli me Manchester Utd dhe Tottenham, portugezi synon të bëjë gjëra të mëdha me Romën. Në kryeqytetin italian ka gjetur një ambient ideal dhe marrëdhënia me tifozët është perfekte.

Të gjithë në ambientin verdhekuq mendojnë se me teknikun portugez në krye do të arrihet të fitohet titulli i shumëpritur. Oversport.tv