125 vite Udinese, kundër Genoas pritet festë e madhe

Ditë feste sot në Udine pasi ekipi i qytetit Udinese feston ditëlindjen. Ekipi italian do të zhvillojë një ceremoni në prag të sfidës ndaj Genoas, ku do të marrin pjesë disa ikona të futbollit italian. Edhe pse zyrtarisht data e themelimit është data 30 nëntor 1896, drejtuesit kanë vendosur ta festojnë sot.

Për këtë event ka folur edhe presidenti i klubit Giampaolo Pozzo. Ai tha se është shumë i emocionuar dhe kujton se sa shpejtë kanë kaluar 35 vitet e tij me këtë klub. Ai kujtoi gjithashtu, momentet historike të klubit nën drejtimin e tij.

“Jam i emocionuar, sepse, kujtoj 35 vitet e mia që kaluan shpejt. Mbaj mend që nuk duhej të isha president këtu, erdhi rastësisht. Jam i kënaqur me rezultatet, shkuam në Europë. Do të doja të ktheja Udinesen në Europë, jam 80 vjeç kështu që duhet të nxitojmë.

Sot shoh shumë fytyra të njohura, kujtime qytete shumë të bukura dhe shumë vite te Udinese të jetuara së bashku. Udinese përfaqëson një simbol të rëndësishëm për ne. Ne vazhdojmë të mbrojmë ekipin me krenari”, përfundoi fjalën e tij Pozzo. /oversport.tv