14 gola të shënuar në dy ndeshje, aq sa edhe në hendboll mund t’i kishin zili. Vllaznia pas 7 vitesh ka fituar në Laç dhe e bën diçka të tillë me rezultatin 5-3, në një ndeshje ku pjesa e parë ishte spektakolare. Tirana nga ana tjetër mposhti 4-2 Skënderbeun në kryeqytet.
Për të mbetur te triumfi i Vllaznisë, shkodranët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë. Pas ndihmës së VAR, kuqeblutë morën një penallti që e ktheu në gol Liridon Latifi. Pa u bërë 25 minuta lojë, skuadra e Brdaric e pa veten në epërsi të dyfishtë.
Një kundërsulm u kthye në gol nga braziliani Victor Da Silva. Kurbinasit nuk u dorëzuan dhe sinjalet i kishin dhënë me Lushkjen dhe Guindo. Për katër minuta bardhezinjtë ia dolën të shënojnë dy herë me debutuesin Dejan Zarubica, që shtangu portierin Zogovic.
Festivali i giolave vazhdoi në pjesën e parë, teksa Ante Aralica riktheu epërsinë për Vllazninë. Laçi u kundërpërgjigj me një gol të bukur të mesfushorit Regi Lushkja. 3-3, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. E dyta nisi me gol.
Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, mposhti portierin Alen Sherri dhe më pas vendasit nuk e patën fuqinë të rrezikojnë. Shkodranët i kishin mbaruar gabimet dhe në minutat shtesë një tjetër debutues shënoi: braziliani Kaina.
Në kryeqytet gjithashtu u shënuan shumë gola, madje dy të parët për 6 minuta. Behiratche kaloi Tiranën në epërsi, kurse më pas barazoi Jean Victor. 45 minutat e para u mbyllën 1-1, kurse në të dytën ishte Michael Ngoo që riktheu epërsinë.
Limaj dhe sërish anglezi i çuan shifrat në 4-1 me golat e realizuar, kurse në minutat shtesë Mensah i Skënderbeut realizoi edhe një gol tjetër. Tre pikë për Tiranës, që feston sikurse edhe Vllaznia e Teuta një ditë më parë. / oversport.tv