Emocione të shumta ka dhuruar derbi i Milanos për shikuesit e Oversport dhe Tibo. Një betejë spektakolare është zhvilluar në “San Siro”, por në fund kanë qenë kuqezinjtë e Milanit ata që kanë arritur të festojnë, pasi kanë arritur të përmbysin disavantazhin e pjesës së parë.
Olivier Giroud ka qenë heroi i kuqezinjve, pasi për tre minuta ka shënuar 2 gola, që i kanë dhënë “djallit” një fitore të madhe. Zikaltërit kanë luajtur më mirë gjatë pjesës së parë, ku kaluan në avantazh me Perisic, por në 3 minuta ka ndodhur përmbysja e madhe, që ka rihapur kampionatin italian të futbollit.
Në “San Siro” luhet derbi i Milanos, një sfidë që përveç rivalitetit historik, vlen shumë edhe për titullin kampion në Serie A këtë sezon. Zikaltërit nisin më mirë takimin dhe gjejnë menjëherë rrugën e rrjetës me Dumfries, por goli anulohet për shkak të një pozicioni të parregullt të Perisic.
Interi këmbëngul, por Maignan është në formë të shkëlqyer dhe bën mrekullinë, duke pritur gjuajtjen e Brozovic dhe më pas atë të Dumfries. Milani mundohet të reagojë dhe i afrohet golit me Tonalin, por kësaj radhe është Handanovic, ai që bën një pritje të shkëlqyer.
Zikaltërit provojnë me Lautaron, por gjuajtja e argjentinasit nxirret në korne nga Maignan. Calhanoglu godet kornen dhe Perisic dërgon topin në rrjetë. Zhbllokohet derbi dhe Interi mbyll në avantazh 1-0 pjesën e parë.
Pjesa e dytë nis më e qetë. Milani rrit ritmin e lojës, por Interi është më i rrezikshëm në kundërsulm. Dy teknikët bëjnë disa zëvendësime, që ti japin frymëmarrje skuadrave respektive. Mungojnë rastet e pastra, por Milani arrin të gjejë golin e barazimit me Giroud, që shtyn drejt rrjetës një top të devijuar në zonë.
Francezi bën të fluturojnë tifozët e Milanit, pasi pas tre minutash shënon edhe golin e dytë, që përmbys ndeshjen dhe kalon kuqezinjtë në avantazh.
Një përmbysje e çmendur e Milanit, që rihap kampionatin italian, pasi tashmë diferenca mes dy skuadrave ka shkuar në 1 pikë (ndonëse Interi ka një ndeshje me pak).
Itali-Serie A / Java e 24-t
Inter-Milan 1-2
Perisic 38’ / Giroud 75’, 78’