4 beteja në Oversport, Juventus-Atalanta dhe Interi “ngrijnë” shqiptarët sot

Serie A dhe Oversport vijojnë rrugëtimin së bashku, në Shqipëri e Kosovë ku transmetohet ekskluzivisht kampionati më i dashur për shqiptarët. Në program për sot janë katër ndeshje.

Nxehja fillon në orën 15:00 me dy përballje. Në Oversport 1 transmetohet Sampdoria-Verona, me vendasit që kërkojnë pikë të rëndësishme për mbijetesën kundër një skuadre mjaft të fortë si ajo e Tudor.

Takimi tjetër i kësaj ore është ai mes Empoli dhe Fiorentinës, që mund ta ndiqni në Oversport 2. Skuadra e Adrian Ismajlit dhe Nedim Bajramit duhet të ndalë vrullin e ekipit vjollcë pas fitores që arriti kundër Milanit.

Ora 18:00 sjell ndeshjen më të rëndësishme të javës në Serie A. Juventus-Atalanta është një betejë, që të dyja skuadrat duan ta fitojnë. Bardhezinjtë e konsiderojnë pikë kyçe të sezonit sot.

Me të drejtë, pasi një fitore e afron me 1 pikë nga Atalanta e vendit të katërt. Si zakonisht në skuadrën e Gasperinit nuk do të mungojë nga minuta e parë Berat Gjimshiti.


JUVENTUS (4-4-2): Szczesny; Cuadrado, Bonucci, De Ligt, Alex Sandro; Chiesa, McKennie, Locatelli, Rabiot; Dybala, Morata.

ATALANTA (3-4-1-2): Musso; Toloi, Palomino, Djimsiti; Zappacosta, De Roon, Freuler, Maehle; Pessina; Malinovskyi, Zapata.


Mbrëmja më pas është e kampionëve të Italisë. Në Venezia Interi i Simone Inzaghi shkon për tre pikët dhe për të vënë në presion Napolin e Milanin, që momentalisht kryesojnë me katër pikë më shumë. Ky duel transmetohet në Oversport 1.