4 milion € formacion: Derbi i më të shtrenjtëve, Partizani mbi Tiranën

E hëna rikthen derbin Tirana-Partizani dhe si zakonisht nuk shmangen analizat dhe krahasimet. Oversport, bazuar ne vlerësimin e Transfermarkt, ju sjell formacionin më të shtrenjtë të këtij derbi.

Dominon Partizani, edhe pse deri më tani nuk ka arritur dot të fitojë një ndeshje në pesë javët e para të kampionat. Në 6 pozicione “Demat” kanë lojtarë më të shtrenjtë, si dhe lojtarin më të vlerësuar, sulmuesi Andrija Filipovic.

Kroati vlerësohet me 500 mijë euro nga faqja e specializuar për vlerat e futbollistëve. Nga Partizani janë në këtë formacion edhe dy mbrojtës, Albion Marku dhe Egzon Belica, ndërkohë që ky repart plotësohet nga Ismajlgeci dhe Hoxhallari.

Sa i takon portierit, Visar Bekaj është më i shtrenjti në Abissnet Superiore. Mesfusha dominohet nga Partizani, që ka lojtarë si Esat Mala e Ergys Kaçe. Pjesa e dytë e sezonit të shkuar ka penalizuar Vesel Limajn, që ka pasur një rënie të vlerës së kartonit.

Enur Totre është nga mesfushorët më të shtrenjtë. Krahët e sulmit janë të ndarë më dysh, me Taulant Seferin nga Tirana dhe Stenio Junior nga Partizani. Në total ky formacion miks i derbit Tirana-Partizani e ka vlerën 3 milion e 875 mijë euro. / oversport.tv