400 gola në kampionate! Ibra për golin: 101 km/h? Zakonisht është me 200

Me golin e shënuar me goditje dënimi kundër Romës, Zlatan Ibrahimovic arriti kuotën e 400 golave të shënuar në kampionatet e ndryshme në të cilat ka milituar (goli i parë i sulmuesit është shënuar në 30 tetor të vitit 1999). Ndërsa në Serie A ky ishte goli i 150-të për sulmuesin e Milanit.

Në kampionatin italian suedezi ka shënuar gjithsej 4 gola me goditje dënimi, hera e fundit para golin kundër Romës ka qenë në ndeshjen Milan-Cagliari të vitit 2012. Mes shumë gjërash të tjera, me këtë gol, suedezi (që i ka mbushur 40 vjeç) i hoqi Francesco Tottit rekordin e shënuesit më të vjetër në historinë e Serie A.

Golin e shënuar sulmuesi e festoi duke hedhur vështrimin tek tribunat e “Olimpicos”, nga të cilat kishin ardhur kore ofenduese në drejtim të tij dhe për këtë arsye u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari Maresca.

“Bëmë një ndeshje të madhe, duke luajtur me shumë besim. Është një fitore e madhe. E dinim që nuk do të ishte e lehtë, por duhet të vazhdojmë kështu. Goli nga goditja e dënimit? Herë pas here bëj ndonjë surprizë. 101 km/h? Normalisht është më e shpejtë, shkon me 200 në orë. Ndoshta është mosha”, ka thënë sulmuesi pas fitores në kryeqytet.

“Fishkëllimat më shërbejnë, më bëjnë të ndihem i gjallë. Duam të fitojmë dhe duhet të luftojmë deri në fund. Kemi treguar se kemi shumë karakter, sidomos kur mbetëm me 10 lojtarë. Titulli? Do ta provojmë, por kampionati është i gjatë dhe duhet të kemi vazhdimësi në rezultate. Ne besojmë, por është akoma shpejt, duhet ti marrim ndeshjet me radhë”, ka përfunduar Ibrahimovic. / Oversport.tv