Erzeni është shndërruar në një “mace të zezë” për skuadrat e mëdha të Superiores. Si për çudi, tre ekipet të etiketuara dhe të përzgjedhura nga opinioni sportiv si favoritet për titullin kampion janë dorëzuar pa kushte përballë skuadrës shijakase, e cila luan pas 20 vitesh në elitën e futbollit shqiptar.
U mendua se fitorja ndaj Vllaznisë në javën e parë të kampionatit ishte aksidentale dhe një hap fals për shkodranët, por koha tregoi që asgjë nuk ishte rastësi. Më vonë në grackën e Erzenit ranë gjithashtu Partizani dhe Tirana. Dy fitore në transfertë kundër kryeqytetasve që kanë ngritur në qiell moralin e skuadrës së Xhevahir Kapllanit.
Erzeni ishte padyshim surpriza e këtij kampionati në fazën e parë me 15 pikë të grumbulluara falë 4 fitoreve, 3 barazimeve dhe 2 humbjeve. Po aq sa Tirana dhe një më shumë sesa Vllaznia.
Skuadra luan mirë futboll, ka filozofi të qartë dhe merr maksimumin nga çdo ndeshje. Mjafton një gol në portën kundërshtare, pastaj sakrificë dhe mbrojtje e hekurt. Me përulësi dhe pa ndrojtje të gjithë japin kontributin e tyre. Shijakasit i kanë arritur 4 fitoret me rezultatin 1-0 për të siguruar 12 pikë dhe 3 të tjera nga barazimet pa gola.
Skuadra luan shkurtër, shfrytëzon armët më të mira që ka në dispozicion si forca fizike e dyshes Krasniqi-Sadiki, të cilës kundër Tiranës iu bashkua edhe Enk. Mehmeti dhe Kahrimanovic po shkëlqejnë në mesfushë, ndërsa Kadriu është i rrezikshëm me shpejtësinë e tij. Patrik Nonato ka filluar pak nga pak të marrë formën fizike dhe është përshtatur me skuadrën.
Ka një fakt tjetër shumë interesant për shijakasit. Ekipi i ndërtuar rishtazi, për pak kohë po i mahnit të gjithë. 5 golat e shënuar mbajnë firmat e lojtarëve të huaj, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Erzeni po vazhdon të ëndërrojë dhe të gëzojë respektin e të gjithë futbollit shqiptar në këtë kampionat. / Oversport.tv