500 mijë € gjoba, kush janë të tmerrshmit që mund të pushtojnë Tiranën

“Het Legioen”, ky është emri i grupimit që mund të jetë makthi i policisë shqiptarë më 25 maj, në finalen e Conference League që luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Ultrasit Feyenoord kanë qenë shumë problematikë këtë sezon, pasi 10 herë kanë bërë që të ndëshkohet me gjobë klubi i tyre nga UEFA për shkak të shkeljeve të bëra.

Ata kanë qenë të papërmbajtshëm në ndeshjen e fundit kundër Slavia Prague, pasi kanë përdorur fishekzjarrë në stadium, kanë hedhur sende në fushë dhe kanë bllokuar shkallët ku kalojnë tifozët.

Për këto shkelje UEFA i ka gjobitur me 70.125 euro, ndërkohë që në total 10 gjobat e marra i kanë kushtuar klubit të Feyenoord 475.375 euro.

Skuadra holandeze ka arritur në gjysmëfinale të Conference League, ku do të ndeshet me Marseille dhe do tentojë kalimin në finalen e Tiranës. Nëse ia dalin, “Het Legioen” do të jenë në kryeqytetin shqiptar.

Nëse jo, atëherë forcat e rendit do kenë punë me ultrasit francezë, që gjithashtu janë shumë të rrëmujshëm. / oversport.tv

Foto: Feyenoord Rotterdam, Facebook