85 milion në arka, Interi rikuperon financat

Pavarësisht largimeve të Lukaku-t dhe Hakimi-t, duket se drejtuesit zikaltër po vazhdojnë që të mbajnë konkuruese skuadrën falë objektivave të qartë teknikë dhe financiar.

Punës shumë të mirë të kryer gjatë merkatos së verës nga drejtuesit (ku bilanci doli pozitiv rreth 125 milion euro) i shtohet edhe një sukses tjetër nga ana komerciale.

Klubi njofton se është arritur marrëveshja me Digitalbits, për sponsorizimin e bluzës, partneri i ri me të cilët është arritur një marrëveshje shumëvjeçare për shifrën e 85 milion eurove.

Një bashkëpunim që sëbashku me ato të arritura tashmë me Socios.com dhe Lenovo, sjellin një total prej 30 milion eurosh të ardhura në sezon nga sponsorizimi i bluzës. Ky ishte edhe objektivi i vendosur pas prishjes së marrëdhënies me Pirelli, që zgjaste prej 26 vjetësh.

Tashmë me këtë kontratë të re, zikaltërit mund të marrin frymë lirisht dhe të shohin mundësi të tjera për të rregulluar raportet financiare të klubit. / Oversport.tv