93 milionë për zëvendësuesin, por Barça riktheu sërish Dani Alvesin

Dani Alves ka luajtur ndeshjen e tij të fundit me Barcelonën më 22 majin e vitit 2016. Braziliani i dha lamtumirën në mënyrën e duhur klubit duke fituar “Kupën e Mbretit” kundër Sevilla që ishte skuadra e tij e parë në Spanjë.

Pesë vite e gjysmë më vonë, në moshën 38-vjeçare mbrojtësi është rikthyer në “Camp Nou”. Situata e vështirë që po kalon klubi dhe mungesa e fondeve për të bërë merkato e ka detyruar në zgjidhje të tjera.

Alves ishte titullar i padiskutueshëm që nga koha kur erdhi në Barcelonë në vitin 2008. Ai ka qenë një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë të historisë së futbollit dhe futbollisti më i titulluar në botë. Pasardhësi i tij ishte i vështirë për t’u gjetur.

Në këto 6 vite, Barcelona ka shpenzuar 93 milionë euro për të gjetur zëvendësuesin, por askush nuk ofroi rendimentin e brazilianit. Gjatë këtyre viteve janë transferuar lojtarë si Douglas, Aleix Vidal, Sergi Roberto, Semedo, Wague, Dest, Emerson, Mingueza.

Disa dështuan, të tjerë ishin lojtarë të mirë, por jo në nivelin e Alvesit. Semedo dhe Dest kanë kushtuar më shumë sesa të tjerët. Portugezi u aktivizua në shumë ndeshje, por nuk ishte konstant. Të tjerë si Roberto dhe Mingueza janë lojtarë të akademisë, por të përshtatur në atë rol. / oversport.tv