Zelimkhan Abakarov tregohet fantastik edhe në sfidën e tij të dytë në eventin e mundjes “Polyák Imre &Varga János Memoria” e cila po zhvillohet në Hungari. Sportisti që garon nën flamurin kuqezi në peshën 61 kg, ka mposhtur në ndeshjen çerekfinale kundërshtarin e tij Narankhuu Narmandakh.
Një ndeshje shumë e luftuar deri në sekondat e fundit, ku Abakarov po e shikonte vetën në disavantazh me rezultatin 1-0. Megjithatë një lëvizje magjepsëse nga sportisti kuqezi kur kishin mbetur edhe rreth 2 minuta i shtoi atij 11 pikë duke bërë që në fund të triumfojë 11-1, e madje kundërshtari u largua duke çaluar.
Kampioni i Europës do të ndeshet tashmë në gjysmëfinale dhe vazhdon rrugëtimin për medalje. Abakarov është një nga kandidatët kryesorë në këtë event për të marrë medalje. Kujtojmë që ditën e djeshme sportisti tjetër kuqezi, Islam Dudaev doli nga ky event me medalje bronzi. /oversport.tv