Abissnet Superiore: Laçi udhëton drejt Korçës, Tirana-Vllaznia supersfida e javës

Pas pushimit dimëror rikthehet Abissnet Superiore e cila do të luaj javën e saj të 16-të duke nisur nga dita e sotme. Vitin 2022 do ta nisë ndeshja Skënderbeu-Laçi.

Korçarët po synojnë një rezultat pozitiv që do t’i ndihmonte ata më shumë në luftën për mbijetesë. Ditën e djeshme ata prezantuan edhe dy afrimet e reja që do të ndihmojnë më shumë ekipin. Nga ana tjetër, Laçi në drejtimin e Josës është duke kaluar një moment fantastik.

Pesë fitore në pesë ndeshjet e fundit dhe vetëm një gol i pësuar tregojnë ecurinë e Laçit që sigurisht, synimi i vetëm në këtë ndeshje janë tre pikët.

Dita e sotme mbyllet me klasiken shqiptare, Tirana-Vllaznia. Ndeshja që do të luhet në “Air Albania” e gjen Tiranën kryesuese “të etur” për pikë pasi po synon shkëputjen nga ndjekësit më të afërt. Shehi i ka kërkuar lojtarëve të bëjnë lojën e tyre dhe të dalin me tre pikë.

Nga ana tjetër, Vllaznia ka treguar se nuk është kurrë një “kafshatë e lehtë” dhe ka po të njëjtin objektiv si Tirana. Të kthehet në Shkodër me tre pikët dhe të përfitoj në rast të ndonjë hapi fals të Laçit ose Kukësit.

Një humbje do të ishte fatale për Vllazninë pasi Tirana do të shkonte në +11 nga shkodranët. /oversport.tv