“Abissnet Superiore”/ Mbeten në lojë titulli, Europa dhe mbijetesa, në fundjavë luhen 5 finalet e javës së 31-të  

Pas dy gjysmëfinaleve të para të Kupës së Shqipërisë që u zhvilluan të mërkurën, është radha që në fundjavë të zhvillohet java e 31-të e “Abissnet Superiore” të cilën keni mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Kampionati ka hyrë në fazën më të nxehtë dhe gara është më e fortë se kurrë, ku çdo ndeshje tashmë është një finale.

Java çelet në Ballsh me sfidën Bylis-Laçi e cila do të startojë në orën 15:00. Mbijetesa për skuadrën e Sensoyt  është vetëm 3 pikë larg dhe ndaj Laçit ka objektiv vetëm fitoren. Po të njëjtin objektiv kanë edhe kurbinasit që kanë hedhur pas oshilacionet dhe janë rikthyer në garën për një vend në kupat e Europës.

Në orën 18:00 ditën e shtunë do të startojë përballja Erzeni-Partizani. Për “Demat” do të jetë një sfidë e komplikuar pasi me Tiranën kryesuese 5 pikë larg, nuk lejohet më asnjë hap fals. Nga ana tjetër Erzeni nuk po ndjen shijen e fitores prej 5 ndeshjesh dhe ndaj skuadrës së Colellas kërkohet reagim.

Më pas ditën e diel do të luhen tre sfidat e tjera që do të mbyllin edhe javën e 31-të. Në orën 15:00 Kukësi do të presë në shtëpi Teutën në një ndeshje për mbijetesën. Skuadra e Hallaçit ndodhet në vendin e 8-të, 2 pikë më pak se durrsakët dhe me pesë ndeshje radhazi pa fitore, në kampin verilindor nuk duan një tjetër hap fals. Do të jetë e gjitha një finale për t’u luajtur edhe për skuadrën e Martinit që vjen pas humbjes në Kupë nga Tirana dhe dëshirojnë ta hedhin menjëherë pas krahëve.

Ndërkohë që në orën 18:00, Tirana do të përballet në Elbasan me Kastriotin e vendit të fundit. Në sprintin final, të besuarit e Shehit duket se kanë kapur formën e tyre më të mirë dhe kërkojnë që Kastrioti të jetë thjesht skuadra e radhës që mposhtin. Por nuk pritet të jetë aspak e lehtë, pasi fitorja ndaj Kukësit në ndeshjen e fundit i ka dhënë besim skuadrës së Çelës që është rikthyer në vallen për mbijetesën dhe do të provojë deri në fund për të qëndruar në elitë.

Po në orën 18:00 do të luhet edhe një sfidë totalisht për Europën. Në “Loro Boriçi” do të luhet sërish Vllaznia-Egnatia. 1-1 përfundoi gjysmëfinalja e parë e Kupës, ndërsa në këtë përballje, skuadrat duan vetëm fitoren, pasi nuk do të ketë një ndeshje kthimi si në Kupë. Një fitore e Vllaznisë e ngjit në vendin e tretë që i siguron një vend në Kupat e Europës, ndërsa nga ana tjetër një fitore e Egnatias, do ta çonte në +4 diferencën me shkodranët dhe do të kishin një sprint final disi më të qetë.

Pra do të jetë një fundjavë flak në Oversport dhe platformën Tibo sa i përket javës së 31-të të Superiores, ku si dhe në çdo javë tjetër që na pret, sfidat janë të gjitha finale. /oversport.tv