540 milionë lekë për 3 sezone, Abissnet do të jetë sponsor i kampionatit elitar të futbollit në vend dhe tashmë kampionati merr emrin “Abissnet Superiore” për sezonet 2021-2022, 2022-2023 dhe 2023-2024.
Fituesi i ankandit për emrin e Kategorisë Superiore ishte vendosur që më 3 qershor dhe për 10 klubet e elitës do të ketë të ardhura shtesë, veç atyre që sigurohen nga shitja e të drejtës televizive.
Marrëveshja u firmos sot dhe presidenti i FSHF, Armand Duka, tha mes të tjerash: “Sot firmoset një marrëveshje e rëndësishme për Kategorinë Superiore. Ky është rezultat i vetë Ligës Profesioniste, që dha frytet e para pas krijimit të Ligës.
Uroj dhe jam i bindur që do t’i sjellë fat m kampionatit shqiptar, jo thjesht për paratë që do të vijnë, por të ketë këmbën e mbarë për të pasur sa më shumë sponsorë të tjerë. Falënderoj presidentin e Abissnet, Koço Kokëdhima, për vëmendjen karshi futbollit dhe Edvin Libohovën që ka arritur deri në finalizimin e marrëveshjes”.
Më pas fjalën e mori Kokëdhima: “Abissnet ka konstatuar dhe ka vlerësuar se emri dhe niveli i futbollit të Kategorisë Superiore në Shqipëri është rritur falë përpjekjeve shumë të mëdha dhe kontributit të posaçëm të presidentëve të këtij kampionati, nën drejtimin dhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sot kemi një kompeticion ku promovohen shumë lojtarë shqiptarë në nivele të larta të futbollit dhe iu mundësohen përfitime të rëndësishme. Puna e vazhdueshme e klubeve të Kategorisë Superiore dhe e FSHF-së e ka bërë këtë kampionat tashmë tërësisht të pastër, të besueshëm dhe për këtë shkak ne kemi vendosur të bëjmë këtë bashkëpunim.
Ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë të shkojnë në stadiume dhe të ndihmojnë klubet e tyre, pasi nuk janë fitimprurëse. Ashtu sikurse ftoj edhe të gjitha kompanitë e Shqipërisë që kanë mundësi dhe vetëdije të lartë publike, të bëhen donatorë dhe sponsorë të klubeve të Kategorisë Superiore në veçanti dhe futbollit në përgjithësi, për t’i dhënë një mbështetje më të madhe futbollit”. / oversport.tv