Abissnet Superiore s’ndalet: Derbi i veriut epiqendra, luhet edhe Egnatia-Skënderbeu

Një tjetër supersfidë luhet sot për llogari të Abisnet Superiore. Pas Partizani-Vllaznia, Laçi dhe Kukësi do të diskutojnë sot se kush triumfon në derbin e veriut. Është java për të vendosur piketat për vazhdimësinë e sezonit.

Në këtë start edicioni, Kukësi synon fitoren e tretë në po kaq ndeshje. Egnatia dhe Kastrioti kanë qenë dy fitoret e Longos në krye të verilindorëve dhe kurbinait janë një provë e vërtetë për të matur realisht forcat.

Nga ana tjetër, Laçi nuk e ka provuar ende shijen e 3 pikëve. Një humbje në shtëpi ndaj Vllaznisë 3-5 dhe barazimi me Dinamon, janë të pa mjaftueshme për skuadrën kurbinase që e mbylli sezonin e fundit me ecurinë historike në Europë, deri në turin e tretë kualifikues në “Konferencë Ligë”.

Me start nga ora 13:45, Laçi pret Kukësin në stadiumin “Kamza” me shpresën për të ndalur verilindorët dhe për të festuar fitoren e parë këtë sezon. Në të njëjtën orë, Egnatia pret Skënderbeun.  Të besuarit e Gugash Maganit vijnë me optimizëm në këtë takim, pas barazimit 1-1 ndaj Tiranës.

Gjithashtu, për skuadrën e Memellit, barazimi ndaj Partizanit është një sinjal pozitiv i këtij edicioni që duhet ruajtur. Për nga objektivat sezonalë, ndoshta do të jetë një nga ndeshjet derbi për zonën e mbijetesës. “Stadiumi Egnatia” pret sfidën e fundit të javës së tretë, me start nga ora 13:45. / oversport.tv