Abraham: Italia shumë ndryshe nga Anglia, duhet të jem më agresiv

“Çfarë më ka mësuar Mourinho në këto tre muaj? Duhet të jem një përbindësh. Një nga gjërat që më ka thënë është se isha shumë i mirë si futbollist dhe se duhet të tregosh agresivitet kur bëhesh një sulmues i rritur”.

Në një intervistë të dhënë për “The Telegraph”, Tammy Abraham shpjegon kështu muajt e tij të parë në kryeqytetin italian.

“Është gjithmonë e vështirë që të transferohesh dhe të përshtatesh në një vend të ri dhe në një kulture të re. Mendova që do të ambientohesha më shpejt dhe do të kisha mësuar më shumë tipe dhe stile futbolli. U nisa që të krijoja sa më shumë eksperiencë”, ka shtuar sulmuesi anglez i Romës.

“Nuk prisja që të ishte kaq e vështirë. Lojtarët janë shumë inteligjentë dhe për mënyrën se si luhet në Itali, mbrojtja është shumë e rëndësishme.

Në Angli jemi mësuar që të sulmojmë, sulmojmë, sulmojmë dhe tashmë duhet të mësoj një tjetër rrugë, si të thyej mbrojtjet kundërshtare”, ka thënë mes të tjerash Tammy Abraham. / Oversport.tv