Abraham: Kemi shkruar historinë, tani të fitojmë trofeun në Tiranë

“Për mua një finale është një finale, si të jetë ajo e Champions League, e Kupës së Botës apo e Conference League. Dua që ta fitoj”, ka thënë sulmuesi i Romës, Tammy Abraham në prag të finales kundër Feyenoord që do të luhet në 25 maj në Tiranë.

“Ka qenë një sezon fantastik. Kur erdha këtu objektivi im ishte që të ndihmoja skuadrën sa më shumë që të ishte e mundur. Doja të shkoja në finale, të fitoja ndonjë trofe. Jemi në rrugën e duhur.

Jemi në finale dhe që tani kemi shkruar historinë. Duam që të mbyllim këtë ecuri në mënyrë perfekte, duke fituar trofeun”, ka thënë sulmuesi në mediat zyrtare të klubit verdhekuq.

“Të shënoj në finale do të ishte një ëndërr për mua dhe për të gjithë, sidomos nëse më pas do të fitonim trofeun. Ëndërroj momente si ky që fëmijë”, ka thënë Abraham. / Oversport.tv