Ademi takohet me Grafstrom, FIFA premton mbështetje për futbollin kosovar

Presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ndodhet aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe si i ftuar special i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të ndjekur nga afër ndeshjet e Kupës së Botës për klube.

Para ndeshjes gjysmëfinale ndërmjet Palmeiras dhe Al Ahly, Ademi është takuar me zv/Sekretarin e Përgjithshëm të FIFA-s dhe njëherësh shefin e stafit të presidentit Infantino, Mattias Grafström.

Gjatë këtij takimi u diskutua për projektet e këtij viti të FFK-së, të cilat do të fillojnë në mars, për zhvillimin e futbollit si dhe për zgjedhjet e sivjetme, duke pasur parasysh se ky vit është cikël zgjedhor në FFK dhe ato duhet të mbahen deri në gusht.

“Mattias Grafström theksoi se FIFA e sheh gjithmonë zhvillimin e futbollit kosovar e të FFK-së dhe janë të kënaqur me arritjet e saj. Ai po ashtu përgëzoi dhe lavdëroi Kosovën për instalimin e VAR-it, si vendi që e realizoi më së shpejti këtë projekt dhe u shpreh i lumtur që FIFA e ka mbështetur një projekt të tillë të suksesshëm.

Grafström u zotua se do të mbështesë edhe më tutje zhvillimin e futbollit kosovar, teksa e falënderoi presidentin Ademi për bashkëpunimin e sinqertë me FIFA-në dhe për transparencën e lartë ndaj FIFA-s.

Ai premtoi se do të jetë prezent në Kosovë në përurimin e të gjitha projekteve në infrastrukturë të FFK-së, si dhe për të parë nga afër projektet e deponuara në FIFA për vitet e ardhshme, si dhe konfirmoi pjesëmarrjen në Kuvendin për zgjedhjen e presidentit, kurdo që ai do të mbahet.

Ai i uroi presidentit Ademi suksese në vazhdim dhe realizim të projekteve tjera të përbashkëta”, shkruhet në njoftimin në faqen zyrtare të federatës kosovare të futbollit. / Oversport.tv