Agjensia e udhëtimeve mashtron Ronaldon, 288 mijë euro më pak në llogari

Cristiano Ronaldo është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Jo vetëm për golat dhe paraqitjen në fushën e blertë me fanellën e Manchester United, por edhe sepse ka rënë pre e një mashtrimi që i ka kushtuar jo pak para.

Është një histori e vjetër, por detajet e saj kanë dalë këto ditë në shtypin portugez. Sipas “Jornal de Notícias” kampioni portugez është mashtruar nga një punonjëse e një agjensie udhëtimesh, të cilës i kishte besuar kartat e kreditit dhe kodet respektive nga shkurti i vitit 2007 deri në korrik të vitit 2010.

Ish-sulmuesit të Juventusit i janë tërhequr nga llogaria 288 mijë euro, vlerë që korrenspodonte me 200 udhëtime, të cilat Ronaldo nuk i ka bërë kurrë. Mashtrimi është zbuluar nga agjensia e udhëtimeve që ka pushuar nga puna dhe ka denoncuar në polici vartësen e vet.

Nuk e ka pësuar vetëm Ronaldo, pasi edhe menaxheri i tij Jorge Mendes dhe futbollistët Nani dhe Manuel Fernandes kanë rënë pre e këtij mashtrimi.