Agolli për Oversport: Koha do vlerësojë punën e Silvinjos, fryma e grupit thelbësore

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare dhe Tiranës, Ansi Agolli ka folur për Oversport, ku ka analizuar kampionatin shqiptar dhe skuadrën kuqezi.

“Silvinjo ka qenë një lojtar shumë i mirë, që ka kontribuar në futbollin europian dhe botëror. Do ta ketë pak të vështirë në fillim, sepse nuk ka trajner që të bëjë mrekullira që në ndeshjen e parë, sepse nuk ka shkopin magjik. Por puna e Silvinjos do të vlerësohet me kalimin e kohës.

Shqipëria ka një brez të mirë lojtarësh, ka të rinj të talentuar dhe lojtarë me eksperiencë, që kanë mentalitetin e fitores. Cilësia e grupit është e mirë dhe shpresoj që kombëtarja të eci sa më lartë. E rëndësishme është që grupi të bëhet bashkë. Kemi dhënë shpirtin për fanellën e kombëtares për aq vite sa kemi kontribuar në skuadrën kuqezi.

Silvinjo ka shumë punë për të bërë. Një nga ato është edhe fryma e grupit, që lojtarët të japin maksimumin. Kemi pasur raste që kemi fituat ndeshje duke dhënë më të mirën dhe nuk kishte të bënte fare taktika. Më e rëndësishme në këto momente është fryma e grupit. Ndaj Polonisë duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe “të kafshojmë” atëherë kur na jepet mundësia. Shpresoj që Silvinjo të jetë një trajner më i mirë se Panuçi. Çunat e dinë peshën që ka fanella e kombëtares, duhet të jenë të përgatitur për këtë. Nuk duhet të ndiejnë presion dhe me profesionalizëm mund të kalojnë çdo vështirësi. Është e rëndësishme që edhe pas një humbjeje, grupi të jetë i bashkuar dhe të rrijë bashkë. Është shumë e rëndësishme si reagon pas humbjes, kjo është më e rëndësishmja në futboll.

Xhixha te Qarabag? Jam shumë i kënaqur për Xhixhën, shpresoj që të ketë sa më shumë lojtarë të rinj që të luajnë në Qarabag apo në Azerbajxhan dhe me sa mundësi të kem do ti ndihmoj, që të shkojnë të luajnë atje. Qarabag është një skuadër shumë e mirë, një klub perfekt, që mund të shërbejë si një trampolinë perfektë për çdo lojtar shqiptar.

Objektivat e së ardhmes? Kur merr licencat duhet të jesh i angazhuar me trajnimin. Dhe çdo trajner e nis nga një pikë 0 dhe më pas ngrihet. Për momentin jam i angazhuar te 2 akademitë, që kam. Më pas të shohim. Duhet edhe eksperienca e duhur për të bërë një hap cilësor në një klub të madh ”, ka thënë mes të tjerash Agolli. / Oversport.tv