Akuzat e babait të Djokovic: U përpoqët të vrisnit sportistin më të mirë në botë

“Tentativa për të vrarë sportistin më të mirë në botë ka marrë fund. 50 plumba në trupin e Novak.” Ky ka qenë mesazhi i Srdjan Djokovic, babait të tenistit serb që tashmë ka marrë ekspuls nga Australia pasi nuk u vaksinua kundër Covid.

Rrëzimi i apelit të sportistit nga ana e gjykatës australiane u shoqërua me akuza të shumta nga ana e babait të Djokovic që e konsideron viktimë të birin për të gjithë situatën e krijuar në prag të nisjes së Australian Open.

“Shihemi në Paris” shkruan  gjithashtu Srdjan Djokovic në rrjete sociale duke lënë të kuptohet që Novak do të përgatitet tashmë për tu hakmarrë në Grand Slam-in e radhës, atë të “French Open”.

Në krahun tjetër autoritetet  australiane e trumpetojnë si sukses ngjarjen. “Mbrojtëm sakrificat e australianëve”  u shpreh Alex Hawke, ministër i emigracionit. “Politika jonë e kufizimeve bëri të mundur numrin e ulët të viktimave, rimëkëmbjen ekonomike si dhe përqindjen më të lartë të vaksinimeve në botë.

Qytetarët tanë kanë bërë sakrifica për të mbërritur deri këtu dhe qeveria jonë do të vijojë ti qëndrojë kësaj linje”- thotë Hawke. Në Australi 91.6 % e personave mbi 16 vjeç janë të vaksinuar. /oversport.tv