Akuzoi Lazion për tradhti, Igli Tare i përgjigjet fjalëve të Senad Lulic

Senad Lulic nuk i kurseu akuzat për klubin e Lazios dhe drejtorin sportiv Igli Tare për menyrën se si ata e larguan atë nga ekipi. Ai tha se është ndjerë i tradhtuar nga Lazio, ndërsa nuk i dhanë mundësinë as për një lamtumirë përballë tifozëve.

Megjithatë, gjithçka e ka përgënjeshtruar vetë Igli Tare përgjatë një interviste për Corriere dello Sport. “Fjala tradhti më ka lënduar shumë, nuk është e drejtë. Me ardhjen e Sarrit në stol, projekti ndryshoi rrënjësisht.

Në 30 qershor i shpjegova Senadit se klubi ka vendosur të nisë një proces rinovimi të ekipit dhe se menjëherë me hapjen e stadiumeve, klubi do të organizojë një ceremoni lamtumire përballë tifozëve në Olimpico për t’u përshëndetur.

Ai është pjesë e historisë së Lazios dhe do të jetë gjithmonë. Ai mu përgjigj “faleminderit, por nuk dua asgjë”. Megjithatë, unë e bëj sërish ftesën, kur ai të ndihet mirë, klubi do të organizojë gjithçka. Ai nuk duhet ta njollosë historinë e tij me Lazion”. /oversport.tv