Al-Khelaifi i mbyll derën Zidanes: Kemi një trajner shumë të mirë

Pas Leonardos, që ka përgënjeshtruar lajmin për një takim me Zinedine Zidane, numri 1 i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ka shuar përfundimisht zërat për një afrim të mundshëm në pankinë të ish-trajnerit të Realit të Madridit.

Presidenti i klubit parisien, i pranishëm në ceremoninë e Topit të Artë, ka deklaruar në lidhje me këtë temë: “Nuk kemi patur kontakte me Zidane. Ai është një trajner i madh, por ne e kemi aktualisht një teknik shumë të mirë”.

Bëhet fjalë për Mauricio Pochettinon, për të cilin presidenti thotë fjalë shumë të mira: “Ai është trajneri ynë dhe është shumë i lumtur që është me ne, po ashtu edhe ne jemi të lumtur që e kemi mes nesh. Të gjithë kanë nevojë për kohë”, ka deklaruar Al-Khelaifi, duke vulosur përfundimisht qëndrimin e trajnerit argjentinas në kryeqytetin francez.

Numri 1 i PSG-së ka përgëzuar Mesin për fitimin e Topit të Artë: “Jemi shumë krenarë për të, është Topi i Artë numër 7-të për të dhe i pari për ne. Shpresoj që të mos jetë i fundit, kemi shumë lojtarë të mëdhenj dhe Mbappé do që ta fitojë këtë trofe”, ka përfunduar Al-Khelaifi. /Oversport.tv