Alarm në mbrojtje, Italiano duhet improvizojë prapavijën përballë Milanit

Vincenzo Italiano, në prag të ndeshjes kundër Milanit lëshon alarmin në mbrojtje, pasi kundër kuqezinjve do të mungojnë të skualifikuarit Milenkovic dhe Martinez Quarta, si dhe i dëmtuari Nastasic.

“Kemi një problem. Kishim menduar që të grumbullonim Lucchesin nga skuadra e të rinjve, por u dëmtua edhe ai. Duket se ky mallkim po vazhdon. Gjithsesi do të jemi gati për ndeshjen, po provojmë të gjitha zgjedhjet e mundshme”, ka deklaruar trajneri i Fiorentinës, në mediat zyrtare të klubit.

Nuk ka alibi, ndonëse për ndeshjen kundër Milanit i vetmi mbrojtës qendre në dispozicion është Igor. Me shumë mundësi në krah të tij do të jetë Venuti, që nga mbrojtës krahu do të përshtatet në qendër.

Mund të kthehet në prapavijë edhe njëri mes Pulgar dhe Amrabat, në alternativën tjetër që po mendon trajneri.

Nuk ka vetëm lajme të këqija, por edhe të mira. Nico Gonzalez, është shëruar nga covidi dhe pas 2 javësh rikthehet në skuadër, ndonëse sulmuesi argjentinas pritet që ta nisë nga stoli, pasi nuk gëzon formën optimale. / Oversport.tv