Alban Bushi: Me Andorrën njësoj si të kemi përballë Gjermaninë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-21 ka mbajtur konferencën e tij përpara mediave në prag të sfidës ndaj Andorrës. Ai kërkoi respekt maksimal për ekipin e Andorrës duke kërkuar nga lojtarët të mos nënvlerësohet në asnjë moment si kundërshtar: “Me Andorrën brenda një viti e gjysmë kemi luajtur tre ndeshje. Dy fitore nga ana jonë dhe një barazim në shtëpinë e tyre. Është një ekip që e kemi vlerësuar maksimalisht.

Andorrën e shohim njësoj si te kemi përballë Gjermaninë, mezi po e presim si ndeshje, për të thënë se nuk jemi ne ata që kemi humbur në Çeki. Ajo ishte një humbje momentale, ekipi duhet të reagojë dhe kjo ndeshje ka një domethënie të madhe”.

”Nuk mendoj se ekipi i Andorrës është modest, pasi edhe ne jemi një ekip modest, por mund të them se dëshirën për të fituar e kemi shumë të madhe”.

Përsa i përket mungesave që Shpresat do të kenë, ai u shpreh: Alternativat janë të shumë të mëdhaja. Çepele dhe Ismajlgeci janë dy lojtarë shumë të mirë, por ne e kemi kontingjentin t’i zëvendësojmë me lojtar të nivelit shumë të mirë, prandaj nuk kemi asnjë lloj problemi për t’i zëvendësuar këta dy lojtarë”.

I pyetur për lojtarët që janë të gatshëm të ndihmojë kombëtaren A, Bushi tha: “Është normale që objektivi jonë është të furnizojmë ekipin e parë, por ne kemi dhe objektiva personalë dhe kolektiv që çdo ndeshje ta fitojmë.  Vjet ne kemi dalë në vendin e 3 me 14 pikë, si dhe kemi furnizuar ekipin e parë. Po të shohësh tek ekipi i parë, aktualisht kemi mbi 20-25 lojtarë që kanë shkuar nga shpresat tek ekipi A në 4-5 vitet e fundit”.

Përsa i përket objektivave ai u shpreh: “Objektivi është që ne të zëmë një vend sa më të mirë këtë edicion, pavarsisht humbjes në Çeki. Edhe pse kemi shumë mungesa në ekip, lojtarët që kemi do të japin më të mirën që të kemi mundësi dhe të fitojmë”.

Ai u ndal edhe tek ndeshja tjetër kundër Sllovenisë: “Do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë, por vëmendja dhe objektivat tanë janë 3 pikët me Andorrën”.

Për prurjet e reja nga kampionati shqiptar, Bushi nuk i kurseu kritikat për mentalitetin e disa lojtarëve: “Ne mundohemi të afrojmë lojtarët e Superiores. Ka disa lojtarë inteligjent dhe disa jo inteligjent. Çdo lojtar kur thirret nga ekipi kombëtar duhet të kuptojë se ai nuk do të luajë patjetër. Thjesht i ka shkuar ftesa dhe përfaqëson 20 lojtarët më të mirë në Shqipërisë.

Ata duhet ta shohin nga ana pozitive dhe nëse janë në tribunë. Ka nga ata që e pranojnë dhe nga ata që nuk e pranojnë. Ata që nuk e pranojnë nuk është se e kanë shumë të gjatë rrugën e kombëtares. Ata që e pranojnë duhet të pranojnë edhe rregullat që kemi vënë ne dhe të ecim përpara.

Duhet të vlerësohet kombëtarja. Vitet e fundit kemi parë që në kombëtaren A kanë shkuar edhe lojtar që kanë qënë në mosha të vogla, por nga cilësia që kanë patur kanë shkuar atje, si Kumbulla, Broja apo Muçi”.

Përsa i përket refuzimit të kombëtares apo pakënaqësive tek moshat e vogla Bushi u shpreh: Ego nga çdo lojtar mund te ketë, por kjo duhet të kthehet nga ana pozitive. Ne si menaxherë duhet t’i menaxhojmë mirë këto situata, pasi mund të na prishin grupin. Nuk kam patur shumë probleme.

Kam patur gjëra të vogla, por kur i kam marrë lojtarët dhe kam folur me ta i kam motivuar. Ka lojtarë që e kanë kuptuar dhe nuk kemi patur probleme. Do doja të kisha të tilla probleme kur një lojtar e ndjen veten të fortë dhe kërkon të luajë, por këtë gjë duhet të ma tregojë në lojë dhe jo me fjalë”. / oversport.tv