Alexis Sanchez prish qetësinë e Interit, ankohet në Instagram

Më shumë se tre gola për ndeshje (22 të shënuar në 7 javë), dygolësh i Correas në debutim, Dzeko kryegolashënuesi i Serie A dhe Lautaro vetëm një shkallë poshtë tij.

Janë këto shifrat e sulmit të skuadrës së Simone Inzaghit, që po shkëlqen këtë sezon, por jo të gjithë lojtarët janë të lumtur.

Alexis Sanchez që deri tani ka gjetur shumë pak hapësira në formacion, pasi pa nga pankina edhe ndeshjen e fundit kundër Sassuolos, ka publikuar në profilin e tij në Instagram një foto me një Ferrari të braktisur dhe të mbuluar nga pluhuri dhe shkruan:

“Mund të vlesh shumë, por po të jesh në vendin e gabuar, nuk do të shkëlqesh”.

Mesazhi duket qartë që i drejtohet Simone Inzaghi për minutazhin e pakët që i ka dhënë sulmuesit këtë sezon.

Rroga e lojtarit nga Kili është një nga më të lartat në organikën e zikaltërve dhe drejtuesit e Interit po mendojnë shitjen e tij që në merkaton e janarit. Marseille, Betis dhe Seville janë disa nga skuadrat që kanë shfaqur interes për Sanchez. / Oversport.tv