Allegri dhe Chiellini: Juventus na ka dhënë shumë, koha t’i kthejmë nderin

Massimiliano Allegri gëzon fitoren e arritur përballë Salernitanës. “Djemtë kanë bërë një paraqitje të mirë, nuk është e lehtë të luash kundër Salernitanës. Vinim nga një moment presioni, sepse kishim humbur në shtëpi përballë Atalantës.

Kemi folur me skuadrën: besoj se Juventusi na ka dhënë shumë dhe tani duhet të jemi ne ata që i japim Juventusit, duke synuar rezultate të mira, që në disa raste nuk i kemi arritur përballë skuadrave të vogla apo të mesme”, ka thënë trajneri i Juventusit.

Tekniku i përgjigjet pyetjes nëse Juventusit i mungon një individ si Marotta: “Jo, Juventusi ka gjithmonë presidentin si pikë referimi kryesore, është shumë prezent. Erdhi Arrivabene që është shumë prezent, Cherubinin kam 30 vjet që e njoh është një njeri i mirë dhe i ekuilibruar. Gjërat dhe njerëzit ikin, mbetet ADN-ja. Pastaj ka disa momente që nuk fiton dhe të duhet të ringrihesh”.

Edhe kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini ka folur pas ndeshjes në Salerno: “Ka momente e momente. Juventusi na ka dhënë shumë të gjithëve, mua të parit dhe të gjithë këtij grupi. Ka momente në jetë kur vjen koha që të rikthesh, ky është një nga ato momente ku duhet ti qëndrojmë pranë këtij klubi. Të gjithë bashkë do ia dalim mbanë, është e vetmja gjë që mund të bëjmë”. / Oversport.tv