Allegri: Gabova me zëvendësimet, por s’pësohen gola të tillë! Milanin e kapim

Juventusi u ndal në barazim 1-1 me Milanin, edhe pse kishte shënuar i pari me anë të Alvaro Morata. Kuqezinjtë barazuan me Rebic pas një goditjeje këndi dhe trajneri Massimilino Allegri ende nuk e ka përtypur atë gol.

Tekniku ka marrë përgjegjësinë për barazimin, duke theksuar se bëri zëvendësimet e gabuara. Për DAZN fillimisht ai deklaroi: “Pavarësisht pjesës së parë kur krijuam shanse dhe i dhamë Milanit vetëm një rast, ne rrezikuam humbjen në fund të një ndeshje që mund të ishte e gjitha në kontrollin tonë.

Fatkeqësisht e humbëm përqendrimin, vendosmërinë dhe fokusin. Thjesht shikoni goditjen e këndit ku pësuam golin. Kishte vetëkënaqësi. Është e pamundur të heqësh dorë nga një ndeshje pasi e ke në kontroll atë. Dukshëm duhet që ne të bëjmë progres, më shumë.

Kjo ndeshje nuk ndryshon asgjë në këndvështrimin tim për Juventusin. Ajo që duhet të mësojmë është se ka ndeshje ku duhet të jesh i fortë, i vendosur për të marrë fitoren. Kjo është pjesë e procesit të përgjithshëm të rritjes së disa lojtarëve.

E pranoj se kam bërë gabime te zëvendësimet. Duhet të kisha aktivizuar më shumë lojtarë mbrojtës dhe të siguroja avantazhin 1-0 që kishim. Kështu që e marr unë përgjegjësinë”. Allegri më pas u ndal të fliste edhe në konferencën për shtypin.

“Ishte e rëndësishme të merrnim një rezultat pozitiv dhe e bëmë. Një humbje nuk do na linte përfundimisht pas Milanit, por do krijohej një epërsi e madhe. Tani është më i lehtë t’i kapësh e t’i kalosh. Problemi është që të fitosh një ndeshje është diçka, të fitosh titullin diçka tjetër. Kjo do të thotë që nuk duhet të pësosh gola me gabime të tilla.

Kishte disa gjëra pozitive, me fjalë të tjera pjesa e parë. Ajo që më zemëron janë 15 minutat e fundit. Duhet të kishim vuajtur më shumë, të ishim gati të luftonim me mish e me thonj. Në ato momente nuk duhet të mendosh të jesh estetikisht bukur, por thjesht të marrësh rezultatin në shtëpi. Madje edhe në mënyrë të shëmtuar”, përfundoi Allegri. / oversport.tv