Allegri: Interi favorit për titullin kampion, na duhet shpejtësi vrasëse

Max Allegri flet për përballjen me Interin, teksa i duhet të përgjigjet edhe për diskutimet që janë bërë pas largimit të Ronaldos. Kielini apo edhe Bonucci e kanë deklaruar se largimi i portugezit duhej bërë në një moment tjetër, jo në fund të merkatos, duke lënë Juventusin të papërgatitur.

Megjithatë, për trajnerin e bardhezinjve, një lojtar si Ronaldo, meriton që të ketë skuadrën në dispozicion. Allegri e thekson disa herë që Interi është një test i rëndësishëm për Juven, pasi i cilëson zikaltrit si skuadra favorite për të fituar titullin edhe këtë sezon.

Forma e Juves
“Do ta shohim të dielën në mbrëmje. Gjithçka do të varet nga ndeshja që do të bëjmë. Do të jetë një mbrëmje spektakolare, mbi të gjitha sepse do të ketë rreth 60 mijë të pranishëm dhe një pritshmëri e madhe nga të gjithë.

Do të jetë një ndeshje e bukur mes dy ekipeve të rëndësishme, Interi, që ende mbetet favorit për të fituar titullin. Do të jetë një test i rëndësishëm përballë një skuadre të fortë”.

Ndeshje vendimtare
“Sipas meje nuk është vendimtare. Mirëpo, na jep mundësinë që të zgjasim ecurinë e mirë të rezultateve të fundit. Për klasifikimin tonë, ishte më e rëndësishme ajo me Romën. Nuk mund të mendojmë që në një ndeshje të vetme të fitojmë apo të humbim kampionatin”.

Dybala
“Do të jetë në dispozicion. Është mirë. Kë bërë dy stërvitje me skuadrën, dhe jemi thuajse të plotë për këtë ndeshje. Është shumë e rëndësishme të jemi të plotë, sepse kemi një kalendar të ngjeshur dhe kemi nevojë për të gjithë. Siç ndodhi të mërkurën në Rusi, ku të gjithë ata që u aktivizuan nga stoli ishin të gjithë vendimtarë.

Luajmë çdo 3 ditë dhe me 5 zëvendësime, ndeshjet ndryshojnë shumë. Kush është në pankinë, duhet ta shoh ndeshjen njësoj sikur të jetë në fushë dhe në momentin që aktivizohet, të ketë mendësinë e duhur. Tashmë, i njoh mirë të gjithë lojtarët që kam”.

Tensioni në “San Siro”
“Të luash në ‘San Siro’ kundër Interit përballë 60 mijë spektatorësh duhet të jetë një mbrëmje e bukur. E rëndësishme është që të jetë një mbrëmje e bukur edhe për ne. Janë sfida stimuluese, të bukura për t’u përjetuar. Ndeshje që përgatiten lehtësisht për vetë respektin që imponon kundërshtari”.

Formacioni
“Nuk e kam vendosur ende se kush do të luajë. Chiesa në ndeshjen e fundit ka bërë paraqitje të rëndësishme dhe ka finalizuar disa herë në kuadrat.

Chiellini, Bonuci, De Light e Rugani janë gati, por vetëm dy prej tyre do të luajnë nga minuta e parë. Në momentin që De Light mund të luajë si qendër e djathtë, mund të mendojmë që të kalojmë në skemën me tre mbrapa.

Interi mund t’iu “vrasë” në klasifikim
“Duke parë klasifikimin, jo, nuk mund të na vrasë. Nuk është një ndeshje vendimtare, por një ndeshje e bukur për t’u përjetuar. Pastaj, në fund të nëntorit do të kemi mundësinë për të vlerësuar situatën se ku kemi mbërritur. Sezonet vendosen vetëm në 3 muajt e fundit, mirëpo duhet të jesh sipër në renditje”.

Sa afër Interit ishit
“Në dy muajt e fundit është folur shumë. Më kanë kontaktuar shumë skuadra, por kam zgjedhur Juven dhe jam shumë i lumtur”.

Fytyrë e re pas CR7
“Kur ke një futbollist si CR7, i cili shënon 30 gola në sezon, është normale që skuadra t’i përshtatet atij. Tani, nuk është më Ronaldo dhe secili ka më shumë përgjegjësi dhe duhet të ketë më shumë gola nga të gjithë”.

Ndeshja e duhur për Bernardeschin
“Na duhet ndeshje perfekte, me vëmendje maksimale në mbrojtje dhe një ndeshje teknike. Duhet të kemi shpejtësinë vrasëse kur kemi topin në zotërim. Na duhet edhe të luftojmë në aspektin fizik, sidomos në fillim të ndeshjes”.

Dzeko
“Edin di të luajë dhe të shënojë gola. Gjithashtu di edhe që të punojë mirë për skuadrën dhe me Lautaron formojnë një dyshe të rrezikshme. Mirëpo, kanë edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm si Barella, Brozovic e Skriniar. Është skuadra më e fortë e kampionatit, me një organikë të gjerë dhje mbetet skuadra favorite për të fituar kampionatin”. / oversport.tv