Allegri: Juventusi im ka limite, zhgënjyese të pësosh katër gola!

Juventusi pësoi kundër Chelsea humbjen më të thellë në Champions League. Katër golat e pësuar nga bardhezinjtë nuk janë pritur mirë nga trajneri Massimiliano Allegri, i cili thekson se skuadra e tij ka limite dhe që duhet të punojnë shumë që të përmirësohen.

“Mendoj se pjesa e parë ishte e mirë. Pas pushimit ata vazhduan të bëjnë presing, ndërsa ne ishim shumë të dobët në golin e dytë dhe të tretë që pësuam. Lejuam shumë goditje këndi, ku ata janë shumë të fortë fizikisht.

Kishte disa situata të ndeshjes që mund t’i zgjidhnim më mirë. Është zhgënjyese të pësosh katër gola, por objektivi u arrit dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen e së shtunës në kampionat kundër Atalantës”, tha Allegri për Sky Sport Italia.

Më tej ai vijoi me analizën e tij për ndeshjen: “Kishte momente kur ne e dorëzonim topin shumë lehtë, duke u përpjekur të bënim pasime vertikale shumë shpejt, në vend që ta mbanim topin. E bëjmë shpesh këtë gabim dhe duhet të punojmë për ta rregulluar. Diçka të tillë nuk mund ta bësh kundër kampionëve të Europës. Skuadra nuk ishte aspak keq në pjesën e parë. Pas golit të dytë dhe të tretë e humbëm besimin”.

Chelsea mbrëmë luajti me Pulisic si sulmues “fals”, duke mos pasur shumë pika referimi. Në lidhje me këtë, Allegri shtoi: “Nuk është se prania e Lukaku e bëri më të lehtë që të mbroheshim në ndeshjen e parë. Ata kishin një sjellje taktike krejt ndryshe këtë herë.

Në ndeshjen e parë ne ishim të përqendruar në mbrojtje gjatë 90 minutave, kurse këtu vetëm në 45 minuta. Gjithsesi jemi kualifikuar dhe tani të fokusohemi te ndeshja e radhës. Sot i urova djemtë për kualifikimin”.

“Nuk është se ne pasi mundëm Lazion jemi bërë skuadra më e mirë në Europë. Kemi limite si skuadër dhe nuk mund ta mohojmë diçka të tillë. Do punojmë që të përmirësohemi”, përfundoi Allegri deklaratën e tij. / oversport.tv