Allegri: Juventusit i duhet shpirti i sakrificës, sa kemi gabuar më parë!

Juventus u kthye te rezultatet pozitive pas fitores minimale 1-0 përballë Fiorentinës në mbrëmjen e sotme. Trajneri Massimiliano Allegri shprehet i kënaqur për sjelljen e lojtarëve të tij për të siguruar fitoren, ndërsa veçon performancën e futbollistëve të rinj.

“Jam i kënaqur me performancën e skuadrës. Më pëlqyen Rugani dhe Pellegrini”, tha Allegri për DAZN pas ndeshjes.

Pikët e lëna e shqetësojnë teknikun bardhezi: “Jam i zemëruar me lënien e pikëve. Duhet të jemi të kënaqur me fitoren e sotme, por duhet të shqetësohemi sepse kemi humbur pikë. Qëndrueshmëria bën diferencën.

Ky ekip ka kualitet, por duhet të jemi më të bashkuar dhe të kemi shpirt sakrifice, vendosmëri në lëvizje të caktuara dhe duele individuale. Me Sassuolo dështuam në këtë aspekt, ndërsa me Fiorentinën bëmë më mirë”, shpjegoi Allegri.

Për trajnerin kjo fitore jep besim për vazhdimësinë, por kërkon ende përqëndrim të madh në ndeshjet në vazhdim. Sa i përket rasteve të humbura, Allegri korrigjon të tijët duke kërkuar që të jenë më të saktë në finalizim.

“Kishim mungesë saktësie në pjesën e parë. Morata zhvilloi një ndeshje të mirë, ku shënoi dhe një gol që u anulua. Duhet ta kishte lexuar më mirë pasimin e Danilos në rastin e krijuar”.

Juventus më mirë në Champions se në kampionat? “E kemi siguruar kualifikimin pa luajtur 2 ndeshje të tjera, por nuk duhet të harrojmë se çfarë kemi bërë gabim”, përfundoi Massimiliano Allegri. / oversport.tv