Allegri ka dyshime për formacionin: Sfida më e rëndësishme për Milanin

Pasi arriti fitoren e parë sezonale në Champions kundër Malmos, Juventusi përqëndrohet tek kampionati aty ku tre pikët nuk kanë ardhur akoma. Përballë bardhezinjve të dielën në mbrëmje në stadiumin “Allianz” do të jetë Milani, i pari në renditje, në një sfidë të madhe, që është shumë e rëndësishme për të vlerësuar gjendjen e skuadrës së Allegrit.

Dybala dhe Morata planifikohen si dyshja e sulmit, por mbeten dyshime për Federico Chiesan, që rikthehet me grupin por nuk e ka të sigurt një vend në formacion. Tekniku i bardhezinjve ka folur për këtë takim në një konferencë për shtyp:

“Ndeshja kundër Milanit është një nga ndeshjet më të rëndësishsme të kampionatit,për të mos thënë më e rëndësishmja. Milani ka fituar vetëbesim dhe siguri në vitet e fundit. Në duhet të bëjmë një paraqitje të mirë, po rritemi dhe për më tepër duhet t’i japim vazhdimësi fitores në Champions.

Ndeshja e sotme është më e rëndësishme për ata, sesa për ne. Llogaritë do ti bëjmë në nëntor, sepse mund të humbasësh pikë shpejt, por edhe mund ti rikuperosh po aq shpejt. Shpresojmë të rikuperojmë sa më shpejt. Juventusi nuk luan për të fituar ndeshjet, por kampionatet, sepse fiton gjithmonë skuadra me rrugëtimin më të mirë në plan afatgjatë”.

Tekniku toskan ka folur edhe në lidhje me formacion e mundshëm, të cilin do ta vendosë pas stërvitjes së fundit: “Kam disa dyshime në lidhje me formacioni. Një në mbrojtje, një në mesfushë dhe një në sulm. Chiesa është një nga këto”-ka përfunduar trajneri i Juventusit.