Allegri: Kemi nevojë për pikë, nuk mund të gabojmë kaq shumë para portës

Juventusi duhet të mbyllë kampionatin mes 4 skuadrave të para në renditje. Është ky objektivi parësor i bardhezinjve dhe Max Allegri ka dashur ta theksojë këtë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Cagliarit.

“Na mungojnë gola dhe sot ky fakt bën diferencën me skuadrat që qëndrojnë para nesh në renditje. Duhet të jemi më të saktë para portës, nuk mund të bëjmë më shaka. Në Cagliari do të jetë e vështirë, por kemi nevojë për tre pikët, sepse objektivi ynë është që të luajmë në Champions sezonin e ardhshëm”, ka thënë tekniku i Juventusit.

“Të luash në Cagliari është gjithmonë e vështirë. Ata kanë një skuadër fizike dhe vijnë pas një humbje të thellë të pësuar në Udine. Për ne vlejnë vetëm tre pikët. Roma është 5 pikë larg por mungojnë edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionatit. Nuk duhet të humbasim objektivin tonë, që theksoj është një vend mes 4 skuadrave të para.

Skuadra është stërvitur dhe është mirë, janë kushtet për të bërë një ndeshje të mirë. Për fat të keq këtë vit na kanë munguar rezultatet në tre ndeshjet më të mira që kemi luajtur, kundër Atalantës, Villarrealit dhe Interit, ku nuk kemi arritur të finalizojmë. Për këtë duhet të punojmë. Mund të ndodh në një rast, por kur ndodh 2-3 herë atëherë nuk është më rastësi”, ka thënë Allegri.

“Nëse do të mundnim Interin mund të kishim një shpresë të vogël për titullin, sigurisht duke fituar të gjitha ndeshjes. Tani duhet të mbledhim sa më shumë pikë. Jemi në vend të 4-t dhe meritojmë të jemi të 4-it. Kishim një mundësi përballë Interit, por nuk e shfrytëzuam.

Dybala? Të gjithë lojtarët që kam duhet të japin kontributin e tyre për të arritur objektivat e përbashkët, pavarësisht se dikush mund të ikë dhe dikush do të qëndrojë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar”, ka thënë trajneri i Juventusit. / Oversport.tv