Allegri kërkon kthesën kundër Spezias: Koha të fitojmë

Juventusi shkon në transfertën kundër Spezias në kërkim të fitores së parë në kampionat. Bardhezinjtë kanë 2 pikë pas 4 javëve të para të Serie A dhe kundër skuadrës së teknikut Thiago Motta duhet të reagojnë me patjetër:

“Nuk duhet të flasim, duhet të fitojmë”-ka thënë Max Allegri në konferencë për shtyp. Kishte 60 vite që Juventusi nuk kishte 2 pikë në klasifikim pas 4 ndeshjeve të para të kampionatit. Tekniku toskan ka dhënë lajmin e mungesës së Chiellinit dhe ka dhënë disa detaje për formacionin:

“Morata është rikuperuar plotësisht. Chiesa dhe de Ligt do ta nisin si titullarë, ndërsa Arthur dhe Kaio Jorge mund të rikthehen në dispozicion pas pushimit të kombëtareve”.

Tekniku bardhezi ka folur edhe për ndeshjen: “Nuk është kurrë e lehtë të luash në stadiumin e Spezias. Duhet të jemi në të njëjtin nivel mendërisht dhe fizikisht, që më pas të nxjerrim në pah aftësitë teknike tona.

Në pjesët e dyta po gabojmë shumë, edhe kur nuk ka shumë presion. Do të jetë një ndeshje e fortë, por tani duhet të fitojmë. Ata që hyjnë në fushë nga pankina, duhet të jenë vendimtarë kur futen në lojë”-ka përfunduar trajneri i Juventusit. /Oversport.tv