Suksesi kundër Chelsea-t në Champions league, pavarësisht emergjencës në sulm, ka rikthyer entuziazmin në kampin e Juventusit.
Në Serie A ka ardhur koha e derbit të Torinos dhe tekniku Massimiliano Allegri duhet të zgjidhë dyshimet e fundit në lidhje me formacionin që do të përballet me skuadrën e Juric. Tekniku i bardhezinjve ka folur në një konferencë për shtyp në prag të kësaj sfide.
“Do të jetë një ndeshje e bukur, por ne duhet të fitojmë derbin që të ngjitemi akoma më lart në renditje. Është rasti perfekt, pasi edhe tifozët kthehen në stadium. Juric po bën një punë shumë të mirë dhe përshtatet me shpirtin që ka Torino. Do të jetë një ndeshje e komplikuar, duhet të kemi durim.
Torino është skuadra që u ka lejuar më pak gjuajtje në portë kundërshtarëve. Kemi 5 pikë më pak se çfarë kishim parashikuar. Duhet ti rikuperojmë me çdo kusht. E rëndësishme është të gjejmë një tjetër fitore, që të punojmë të qetë gjatë pushimit të kombëtareve. Duhet të shfrytëzojmë energjinë pozitive të momentit”.
Më tej tekniku ka folur për formacionin dhe gjendjen e lojtarëve të veçantë: “Szczesny dhe Chiellini do të luajnë me siguri. Për të tjerët do të vendos më vonë. Do të luajnë ata që janë më mirë fizikisht.
Bernardeschi? Luajti shumë mirë në Champions, por nuk duhet të kënaqet me kaq”, ka përfunduar Allegri. /Oversport.tv