Allegri: Kështu duhet të mbrojë Juventusi! Merkato? Vazhdojmë me këtë ekip

Juventusi triumfoi kundër Bologna në transfertë dhe trajneri Massimiliano Allegri u shfaq i lumtur pas ndeshjes. Për DAZN, tekniku i bardhezinjve u shpreh: “Të gjithë bashkëpunuam kur mbroheshim dhe kështu duhet të jetë gjithmonë. Në krahasim me ndeshjen kundër Venezia, kishim një qëndrim më të mirë nga fillimi ndeshjes.

Gjithsesi duhet të bëjmë më shumë përpara. Bologna ka cilësi dhe është e natyrshme që ata të kishin mundësi shënimi. U paraqitëm mirë, por nuk mund ta ulim përqendrimin tani, pasi ka shumë ndeshje direkte në janar përpara se të nisë sërish Champions League”.

“S’ka afrime në janar? Juventusi ka një skuadër të shkëlqyer dhe ne do vazhdojmë me këtë grup deri në fund të sezonit. Këta lojtarë sigurisht që mund të përmirësojnë besimin, formën dhe dëshirën për të arritur objektivat. Mund të përmirësohemi taktikisht, teknikisht dhe në aspektin e rezultateve”.

“Është një rezultat i mirë që na mban në garë për vendin e katërt, por nuk duhet ta ulim vigjilencën tani. Është një rrugëtim i gjatë, me shumë lojtarë të rinj dhe pa eksperiencë. E dinim që në fillim se nuk do të ishte e lehtë për t’u renditur në katër më të mirat apo të konkurronim për titullin kampion. Na ka mbetur edhe një ndeshje këtë vit dhe mezi presim përplasjet emocionuese në janar”, u shpreh Allegri. / oversport.tv