Federico Chiesa e nderoi Juventusin kundër Chelsea në Champions League, ndërkohë që pas ndeshjes foli trajneri Massimiliano Allegri. Për Amazon Prime Italia ai ka deklaruar: “Zakonisht, kur marinarët janë në dete me stuhi, ata gjithmonë mund të gjejnë një rrugëdalje.
Kjo është ajo që bëmë sonte, me një lojë të mrekullueshme kundër kampionëve të Europës. Ne mund të luajmë edhe më mirë se sonte në aspektin teknik, por sinqerisht nuk lejuam shumë raste të pastra dhe nuk shfrytëzuam edhe disa kundërsulme të rrezikshme”.
Në lidhje me zgjedhjet dhe lëvizjet e bëra, Allegri shtoi: “Mendova se do të kishim avantazh nëse luanim me tre përpara (Bernardeschi, Cuadrado, Chiesa), ndërsa më pas kalova Chiesa si qendërsulmues, me Bernardeschi prapa. Shkoi mirë kështu.
Në mesfushë Bentacur lufton vetë, kurse Locatelli bëri një punë të mirë për të bllokuar Lukakun. Rabiot nuk e nisi mirë ndeshjen, por më pas u përmirësua”.
Chelsea dominoi dhe tekniku i bardhezinjve sheh anën pozitive. “Juventusi duhet të dijë të fitojë ndeshje si kjo, kur duhet të vuash dhe të luftosh për rezultatin. Këtë gjë djemtë e bënë më së miri.
Me gjithë respektin për kampionët e Europës, Szczesny nuk kishte asnjë moment ku duhet të bënte ndonjë pritje të vërtetë”, përfundoi Allegri deklaratën e tij. / oversport.tv