Allegri: Më parë ishte qershia, tani Kupa është e gjithë torta

Juventusi ka mundësinë të shpëtojë sezonin përballë Interit në finalen e Kupës së Italisë. “Zonja e Vjetër” lufton kështu për të fituar trofeun e parë këtë vit dhe në prag të finales ka dalë në konferencë për shtyp trajneri i bardhezinjve, Max Allegri.

Do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme me dy skuadra shumë të forta. Kemi zhvilluar ndeshje të mira kundër Interit këtë vit, do të duhet durim dhe qartësi. Pastaj futbolli është i çuditshëm dhe pas dy minutash ndryshon i gjithë plani i lojës. Vetëm duhet të jemi të qetë”.

FORMACIONI- “Kam disa dyshime, para mbledhjes teknike do të marr vendimin tim. Chiellini dhe Perin luajnë me siguri, të shohim të tjerët. Do të vendos nëse do të luaj tre apo katër në mbrojtje”.

RËNDËSIA-“Në të kaluarën ishte qershia, tani është torta. Kur luan një finale ka gjithmonë një rëndësi të madhe, sepse duhet ta fitosh atë”.

E NDRYSHON TROFEU SEZONIN E JUVENTUSIT? “Ne kemi bërë një rrugë rritjeje pasi kemi filluar keq. Përgatitja na çoi të kualifikoheshim në Champions League që është tregues i rëndësishëm. Nuk fituam kampionatin, por në fund të sezonit do të ulemi për të përmirësuar gjërat. Vitin e ardhshëm duam të nisim më mirë sezonin pas një viti pune”.

VLERËSIMI- “Nëse fitojmë, dikujt do t’i duket pak. Nëse humbasim do të jetë një fatkeqësi për opinionin. Duhet të bëjmë vlerësime të tjera për të qenë konkurrues sezonin e ardhshëm”.

TRAJNERI MË I MIRË ITALIAN- “Ancelotti, të cilin duhet ta përgëzoj, ka bërë historinë e futbollit italian si Capello, Lippi dhe Sacchi. Trajnerët fitues janë më të mirët. Carlo konsiderohej si një trajner që e kishte mbyllur ciklin, por nuk rezultoi kështu.

Në Itali kemi shumë trajnerë të rinj të mirë, të cilët mund të kenë mundësi të drejtojnë një ekip të madh, por të luash për të fituar është ndryshe nga të stërvitësh skuadra të vogla ose mesme pa pasur nevojë të fitosh. Trajneri, megjithatë, nuk është vetëm ai që kujdeset për taktikat, ka aspekte për të menaxhuar që nuk mund të mësohen”.

A DO TË LUAJË DYBALA- “Po”.

VALHOVIC- “Ai po bën mirë dhe është i qetë. Nga karakteri që ka kërkon shumë nga vetja, nuk dëshiron të humbasë kurrë dhe tashmë ka treguar se është një lojtar për Juventusin. Është këtu prej tre muajsh dhe vitin e ardhshëm ai vetëm mund të përmirësohet. Shifrat janë të mira për sa i përket golave, por në Itali është e vështirë të shënosh gol çdo ndeshje. Unë jam shumë i lumtur me të”. /oversport.tv