Allegri: Nuk jemi favoritë për titullin, duhet të punojmë fort për tu kthyer në majë

Pas suksesit në debutimin sezonal në kampionat përballë Sassuolos, Juventusi kërkon një tjetër trepikësh në shtëpinë e Sampdorias. Pa Di Marian, që është i dëmtuar, është krijuar hapësirë në formacion për Kostic, që do të luajë që nga minuta e parë.

“Nuk më shqetësojnë dëmtimet, por kur ndodhin neve na duket gjithmonë sikur shembet bota. Duhet të punojmë me përulësi për tu rikthyer në majë”, ka thënë trajneri i bardhezinjve Allegri në prag të sfidës kundër Sampdorias, që do të transmetohet ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Sampdoria-“Luajtën mirë kundër Atalantës, krijuan shumë dhe goditën 2 herë shtyllën. Në Gjenova është gjithmonë e vështirë dhe e komplikuar, duhet të mbrohemi mirë”.

Favoritët-“Për momentin Milani është favorit, sepse është kampioni në fuqi. Interi është përforcuar dhe është një nga skuadrat favorite për të fituar kampionatin. Ne duhet të bëjmë më mirë se vitin e kaluar dhe të mendojmë për veten.

Juventusi për momentin nuk është favorite për shkak të rezultateve të fundit. duhet të punojmë në qetësi dhe të vuajmë për të fituar ndeshjet. Nuk duhet të jemi mendjemëdhenj, sepse fakti që vesh fanellën e Juventusit nuk të jep fitoren. Duhet të ruajmë hapin e kryesuesve”. / Oversport.tv