Allegri: S’kam bërë kurrë shpikje, këtij Juventusi i duhet qetësi e qartësi

Massimiljano Allegri ka dalë para mediave për të folur për ndeshjen e nesërme kundër Salernitanës, që luhet prej orës 20:45 dhe transmetohet në Oversport. Allegri ka prekur shumë tema, deri te problemet e fundit të bardhezinjve që lidhen me hetimet e nisura për plusvalencat.

“Duhet të bëjmë diçka më shumë, ajo që kemi bërë nuk mjafton. Kurrë nuk kam shpikur asgjë për të dalë nga kriza. Tani për tani kemi nevojë për rregull, të jemi konkretë dhe të qetë. Duhet të gjejmë një mënyrë për të dalë nga stuhia, jo për ta luftuar atë”.

“Kemi bërë afrimet e duhura, por kemi shënuar pak gola në krahasim me rastet e krijuara. Ndoshta diçka do të ndryshojë nesër. Nuk është se Dybala e Kean nuk kanë shënuar. Ata do të fillojnë t’i shënojnë dhe ndoshta do t’i shohim gjërat në një mënyrë tjetër”.

“Dua të bëj një sqarim. Morata të shtunën bëri një nga ndeshjet më të mira që nga fillimi i sezonit. Mendoj se ishte ndër më të mirët në fushë dhe më vjen keq sepse gjykimet për të duhet të jepen objektivisht. Pra, ose unë nuk e kuptoj, ose ka paragjykime.

Kean është ai që e sulmon më shumë zonën, Morata ka qejf të vrapojë më shumë. Fakti objektiv është se kemi shënuar pa gola. Ndoshta gjërat ndryshojnë nga nesër ose të dielën. Të shtunën luajtëm mirë dhe Atalanta bëri ndryshime në mbrojtje dhe në mënyrën se si luan për të marrë rezultatin”.

“Në këtë moment kemi nevojë për Chiellinin dhe freskinë e të rinjve. De Sciglio nuk është ende gati. Lojtarët duan të bëjnë diçka më shumë, por duhet të jenë të durueshëm e të organizuar. Na duhet rregull tani. Ne do të dalim nga kjo situata dhe duhet qetësi. Sa më shumë të emocionohemi, aq më shumë rrëmujë bëjmë. Duhet të fillojmë nga gjërat e thjeshta dhe më pas gjërat do të bëhen mirë”.

“Problemet e klubit? Nuk është se ne jemi të izoluar nga klubi, jemi brenda Juventusit. Presidenti foli me ekipin të shtunën dhe këtë mëngjes punonjësit. Ai na gëzoi”.

“Nuk ka asnjë tranzicion te Juventusi. Duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi të gjashtit në klasifikim dhe të përgjegjshëm. Për momentin jemi në fazën me eliminim në Champions League dhe kemi përpara një garë që mund të jetë stimuluese”, tha Allegri në konferencën e zakonshme për shtypin. / oversport.tv