Allegri: Szczesny nuk preket, e kemi “recetën” për Malmon! Çerekfinalet në Champions, detyrim

Massimiliano Allegri kërkon që Juventusi i tij të reagojë në Champions League, pas humbjes së fundit ndaj Napolit në Serie A. Tekniku doli sot para mediave dhe foli për shumë tema dhe për lojtarë të ndryshëm.

“Duhet të fitojmë ndaj Malmo për të hedhur themelet e duhura që të kualifikohemi në fazën tjetër. Në futboll nuk parashikon dot se çfarë do të ndodhë, ne duhet të përpiqemi të bëjmë gjërat e duhura. Në kampionat gjërat nuk kanë shkuar si duhet deri më tani, edhe pse ekipi ka luajtur. Nesër duhet të jemi të fokusuar te ndeshja e Champions League.

Duhet të bëjmë lojë teknike dhe të bëjmë disa goditje. Malmo është një ekip shumë fizik. Lojtarët duhet ta marrin me qetësi dhe duhet të dimë çfarë të përmirësojmë, pavarësisht nga rezultatet në kampionat. Duhet të vazhdojmë të punojnë. Në futboll nganjëherë nuk ndodhin ato gjëra që pret”.

Në lidhje me portierin që do ta nisë nga fillimi, Allegri shtoi: “Szczesny është një portier i nivelit të lartë dhe absolutisht që do të luajë nesër. Pas Napolit jemi përqendruar vetëm në stërvitje. Szczesny duhet të qëndrojë i qetë dhe të mos u japë rëndësi kritikave. Të gjithë duhet të jemi të përqendruar në fushë, për t’u siguruar që ky moment të kalojë sa më shpejt”.

Juventusi nuk do të ketë dy lojtarë nesër, por trajneri italian nuk shqetësohet: “Kemi shumë lojtarë të mëdhenj në sulm. Chiesa nuk është në maksimumin e tij, kështu që nuk rrezikuam me të dhe e lamë në shtëpi.

Bernardeschi mori një goditje të shtunën, por nuk ka ndonjë gjë serioze. Nuk donim të rrezikonim as me të. Kulusevksi është një lojtar me kualitet, duhet të përmirësohet në menaxhimin e ndeshjes. Do vendos nesër nëse ai do të luajë titullar”.

Në fund, Allegri shtoi: “Në këto momente duhet të kemi një ndjenjë më të madhe përgjegjësie. Duhet të përmirësohemi në shumë gjëra, t’u kushtojmë rëndësi detajeve të vogla që bëjnë diferencën në një ndeshje futbolli. Juventusi e ka detyrim të jetë në tetë më të mirat në Champions çdo vit. Më pas duhet të luash nga ajo fazë. Ne gjithmonë kemi dëshirën të fitojmë”. / oversport.tv