Është e vërtetë që Reali i Madridit u dominua për një pjesë të madhe të ndeshjes nga Interi i Simone Inzaghit, i cili e zbriti ekipin me tre mbrojtës, dy anësorë dhe Dzekon e Lautaron në sulm. Zikaltrit e vunë në provë portierin Courtis. Ancelotti i qëndroi besnik skemës 4-3-3, pa Krosin dhe Hazardin. Ky i fundit mbeti jashtë për dëmtim teknik. Vendin e belgut e zuri Lucas Vasquez, por Reali vonoi shumë për të gjetur rrugën drejt portës së Handanovic.
Interi dominoi pjesën e parë me një presing shumë të mirë që nuk e lejoi Modricin të dilte në lojë për të shërbyer sulmuesit e Realit. Ata ishin të pakoordinuar me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, loja u zhvillua shpesh ne anën e Courtois, i cili bëri disa ndërhyrje shpëtimtare. Benzema dhe Vinicius, të cilët duhet të ishin kërcënimet e mëdha të “Galaktikëve” në këtë mbrëmje munguan.
Në pjesën e dytë pati një rënie të intensitetit të italianëve dhe Reali tregoi një tjetër fytyrë. Vinicius nisi të shfaqej më shumë dhe Valverde u aktivizua. Ancelotti mori kohë për të ringjallur skuadrën e tij. E bëri me zëvendësimet për të ndryshuar tendencën e lojës. Trajneri Italian mendoi të aktivizonte Iscon dhe Hazardin, por në fund futi në fushë Camavingën dhe Rodrygon.
Dy të parët dolën në nxehmje, por në fushë u futën të dytët. Kërkonte këmbë të freskëta për të hapur lojën nga krahët dhe kjo ishte zgjedhja ideale për të sfiduar tre mbrojtësit e qendrës së Inzaghit. Vendimi i Carlettos ishte pak i rrezikshëm për të larguar Modricin dhe Lucasin. Lëvizja e tij ishte një shah mat për Interin. Camavinga ishte asistuesi dhe Rodrigo “ekzekutuesi” për t’i dhëne Realit tri pikët e para në fazën e grupeve në Champions.