Analiza e supersfidës së Serie A, “kartat” që favorizojnë Milanin përballë Juventusit

Milan do përballet këtë mbrëmje me Juventusin. Kuqezinjtë kanë fituar 3 ndeshjet e para në kampionat dhe do synojnë pikët e radhës për të ruajtur bilanc pozitiv me “Zonjën e Vjetër”. Në uebsajtin zyrtar të klubit, shohim disa duele interesante mes futbollistëve, të cilat mund të vendosin dhe fatet e takimit në fushën e blertë.

Beteja në mbrojtje, Giorgio Chellini dhe Simon Kjaer. Të dy dhuruan paraqitje të mrekullueshme në EURO 2020, ku në gjysmëfinale kombëtaret e tyre u prezantuan mjaft mirë. Një duel mes veteranëve të mbrojtjes, ku eksperienca e secilit mund të ndikojë në takim.

Manuel Locatelli dhe Sandro Tonalli. Një ish i dalë nga akademia kuqezi dhe një i ardhur nga Brescia. Të dy janë vërtetë të rëndësishëm për skuadrat respektive, Locatelli pjesë e suksesit në Euro 2020, ndërsa Tonali kapiten tek Italia U21. Një rol të rëndësishëm do kenë në ndeshjen e mbrëmjes, një pozicion i cili do jetë kyç në dominimin e njërës prej skuadrave.

Federico Chiesa përballë Rafael Leao. Djali i legjendës, i cili shkëlqeu te Fiorentina dhe u transferua në Torino, do ketë përballë yllin premtues portugez. Të dy janë të shpejtë në të majtë dhe mund të jenë burim rreziku për raste shënimi. Chiesa ka 3 gola dhe 3 asiste përballë kuqezinjve, ndërsa Leao ka 2 realizime përballë bardhezinjve.

Dueli i sulmit. Paulo Dybala dhe Brahim Diaz premtojnë spektakël në fazën sulmuese. Fantazistë dhe 2 numra 10. Argjentinasi ka 5 gola përballë Milan, ndërsa i riu spanjoll numëron një silurë në fitoren e pastër 3-0 në sezonin e kaluar përballë Juventus./ Oversport.tv