ANALIZA/ Grintë, të rinj dhe cilësi, Teuta po ringrihet

Grintë, dëshirë, të rinj me perspektivë dhe merkato me cilësi. Teuta po bën gjërat siç duhet për të dalë nga fundi i tabelës së klasifikimit. Ndaj Kastriotit, në derbin që mund të konsiderohet i mbijetesës, skuadra durrsake doli me tre pikë të arta. Fitore me dy gola, por mbi të gjitha edhe me lojë dhe raste, çka rrisin optimizmin se mund të ketë të tjera triumfe që do ta pasojnë.

Me mungesa të rëndësishme, dy prej tyre Kotobelli dhe Emiljano Vila, Teuta në fushë u mor përdore nga të rinjtë. Lorenco Vila e Aldrin Oshavi, përballuan siç duhet një ndeshje me tension, një ndeshje jetike për ecurinë dhe objektivat e durrsakëve dhe bënë të mundur që trajneri dhe drejtuesit, të kenë besim se secili individ, po rritet nga ndeshja në ndeshje.

Trajneri Martini e konfirmoi për Tibo Gol rëndësinë e merkatos dhe deklaroi se është në kërkim të një mbrojtësi dhe një sulmuesi. Mirëpo, Teuta ka zyrtarizuar afrimin e Sherif Kallakut. Një mesfushor tepër cilësor, i cili do të japë mundësinë që loja e durrsakëve të ketë më tepër shpejtësi, më tepër vertikalizime dhe të shtohet cilësia në këtë repart, ku bashkangjitur me eksperiencën e lojtarëve si Karabeci apo Ledio Beqja, mund të formohet një repart kompetitiv.

Lorenco Vila dhe Oshafi, në ndeshjen jetike, e justifikuan më së miri besimin e skuadrës duke treguar cilësi në finalizimin e aksioneve dhe mbi të gjitha, duke qenë rezultativ me 2 golat që prodhuan fitoren.

Dy fazat e para për t’u harruar për skuadrën durrsake, por gjithçka ka treguar në këtë fillim viti 2023, jep shpresë dhe optimizëm se Teuta mund të bëjë shumë më shumë, sesa vetëm të largohet nga vendi i dhjetë për në të nëntin. /oversport.tv