ANALIZA/ Partizani me oshilacione dhe varësi nga Skuka

Vit i ri, por Partizan i vjetër. Mungesë stabiliteti në rezultate, oshilacione, varësi nga Skuka dhe stoli që nuk përligj dot zëvendësimin e titullarëve. “Ne nuk jemi skuadra që vret kampionatin. Nuk jemi një skuadër shumë e fortë. Dhe jemi një skuadër që bën gabime. Nga unë i pari”. Këto ishin tre mesazhet e rëndësishme që dha trajneri Giovani Colella në përfundim të ndeshjes me Vllazninë. Italiani pranoi fajet për zëvendësimet aspak të goditura, por nuk shfajësoi aspak edhe sjelljen e skuadrës së tij.

Të kuqtë vuajtën shumë ndaj Vllaznisë, e cila në fund mori një fitore të merituar. Pa Skukën, në pjesën e parë, Partizani vuajti shumë mungesën e një pike referimi. Me sulmuesin jashtë forme, i cili vinte pas një gjendjeje gripale, të kuqtë vuajtën në finalizim.

Së dyti, zëvendësimet e kryera, nuk i dhanë forcën e duhur dhe reagimin që pritej në fushë. Maguette u hodh në fushë në minutën e 57-të në vend të Hotit, por siç e pranoi edhe Colella, nuk arriti që të përballonte dot frenat e lojës dhe rolin e mesfushorit përpara mbrojtjes. Me gjithë golin e realizuar prej tij, skuadra vuajti shumë për disa minuta, duke i dhënë vrullin e nevojshëm Vllaznisë për të përmbysur gjithçka.

Partizani kryeson me meritë për çfarë ka treguar deri më tani në Superiore, por varësia ndaj Skukës apo edhe stoli që nuk është në lartësinë e titullarëve, bën që kjo skuadër të ketë oshilacione në rezultate. Puna që po bëhet është e mirë dhe me një vizion disa vjeçar duke dhënë hapësira për të rinjtë, por titulli fitohet duke e vrarë kampionatin sa herë del mundësia, dhe deri më tani, në dy fazat e para, Partizani nuk e ka bërë këtë gjë… /oversport.tv