Analiza: Vendi i tretë dhe pikë rekord, çfarë nuk shkoi me Kombëtaren

Shqipëria e mbylli edicionin kualifikues drejt “Botërorit 2022”, duke qëndruar deri në dy ndeshjet e fundit me ëndrrën se Katari mund të ishte realitet i prekshëm. Jo pak, kur përballë kishim 3 skuadra pjesëmarrëse në “Euro 2020” si Anglia, Polonia dhe Hungaria.

“OVERSPORT” bën një analizë në lidhje me çfarë shkoi apo çfarë nuk ishte në pritshmëritë e duhura. Mungesë fati në ndeshjen decizive apo ndoshta edhe mos menaxhim i saktë i të gjithë kontingjentit të lojtarëve që janë në dispozicion të Kombëtares.

PIKË REKORD DHE VENDI I TRETË – Kombëtarja koleksionoi një rekord pikësh deri më tani në historinë tonë. 18 pikë, pas dhjetë ndeshjeve të zhvilluara e ngjisin në fron italianin që parakalon Xhani De Biazin, të cilit i mjaftuan 14 të tilla për t’u kualifikuar si e dyta në “Euro 2016”. Pak për Botërorin?

Në Grupin J, Maqedonia e Veriut bëri mrekullinë duke prekur fazën “Play Off”, pikërisht me 18 pikë, njësoj sa edhe ne. Vendi i tretë konsiderohet një objektiv i arritur për kuqezinjtë, të cilët edhe në Ligën e Kombeve kanë fituar rritjen në vazon e katërt, krahasimisht me edicionin e shkuar. Pikët vijnë duke bërë detyrën me “të voglat”, por mbi të gjitha, edhe 6 pikë me një ekip si Hungaria, që ndali Francën në Europian.

SKEMA & LOJA, THEMEL PËR “EURO 2024” – Tashmë nuk ka më asnjë diskutim, në lidhje me skemën apo lojën. Lojtarët e kanë përvetësuar idenë e Rejës për 3-5-2. Shqipëria, në pjesën dërrmuese, është më e bukur edhe për t’u parë në fushë. Kësisoj, moduli dhe loja e zhvilluar janë një themel i mirë për “Euro 2024”.

Me një grup të formësuar tashmë që ka nevojë vetëm për korrigjime të vogla, përshtatje të një talenti si Bajrami dhe gjetjen e “shinave të duhura” për Armando Brojën. Menaxhimi i të cilit, është shndërruar tashmë në një detyrë po aq të pamundur sa edhe kualifikimi i Kombëtares në finalet e një Botërori deri më tani. Pjesa tjetër është garanci e madhe që ofron ky kontingjent.

GOLAT E PËSUAR/ STANDARDET – Përtej pikëve rekord, në përfundim të këtij edicioni, Shqipëria ka shumë për të përmirësuar. Nuk është vetëm shkërmoqja ndaj Anglisë me goleadën 5-0, e cila prish rrënjësisht edhe bilancin, por në total, 12 gola të pësuar janë shumë për një ekip, prapavija e të cilit është e gjitha në Serinë A. Një pikë e dobët këtë edicion ka qenë pikërisht vendosja ose edhe mos përqendrimi në goditjet standarde të kundërshtarëve.

“Keqardhje që pësuam gol në situata për të cilat trajneri na kish porositur dhe kishim punuar gjatë javës”, ishte ndër të tjera fraza e një prej titullarëve të Kombëtares pas transfertës në Poloni. Me Anglinë së fundmi, një tjetër standarde na gjen të papërgatitur. Këtu ka shumë për të punuar dhe për të zgjidhur mes stafit dhe lojtarëve, pasi cilësia dhe eksperienca e kuqezinjve është rritur më shumë se kurrë.

FINALJA ME POLONINË, FAT APO MUNGESË MENAXHIMI – Në të gjithë rrugëtimin kualifikues, Shqipërisë i mungojnë pikë vetëm me Poloninë. Ndeshje e mirë, por pa fat në Poloni. Episode kundër, mes të cilave edhe një penallti e munguar. Ndeshje për t’u harruar nga shumë prej titullarëve tanë. Finalja në Tiranë? Trajneri Reja ka të drejtë kur thotë se “dikush” lart donte që Shqipëria të mos ishte e plotë në sfidën ndaj Lewandowski & Co.

Pa diskutim që fati nuk ishte me ne atë prag sfide. Cikalleshi, Gjimshiti, Gjasula ishin vetëm 3 nga mungesat e rëndësishme për përballjen “finale” po a u menaxhua si duhet?  Sigurisht që mund të bëhej më shumë. Mund të ishte vepruar me më tepër kujdes nga stafi i Kombëtares. Si? Një mundësi për të qenë i “mbuluar” është lista më e gjatë, kur dihet situata e COVID-it që po i dëmton shumë skuadrat, duke marrë parasysh kartonët dhe pezullimet e mundshme si dhe dëmtimet.

Kësisoj, askush nuk pengon trajnerin që çdo grumbullim të ketë një listë mes 28 dhe 30 lojtarësh, pasi më lehtë të çohen në tribunë 5 apo 7 të “tepërtit”, sesa të luhet një “finale” me vetëm 3 apo katër alternativa në stol. Jo vetëm kaq, por shpesh është praktikuar edhe lista në pritje… Fusha? Manaj duhet ta dijë që i ka një borxh shumë të madh Kombëtares. Sikur të kish pasuar për Uzunin…

Në përfundim, lind detyra që gjithçka e bërë mirë në këtë edicion të paketohet si duhet dhe të aplikohet për kualifikueset drejt Europianit të ardhshëm, ku kualifikimi në të, bëhet më shumë sesa thjeshtë një dëshirë sportdashësish. / oversport.tv