Ancelotti: Do të qëndroja gjithë jetën tek Reali, dua të fitoj gjithmonë

Në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”, Carlo Ancelotti ka folur për shumë tema. Trajneri italian është rikthyer për herë të dytë në krye të Realit të Madridit dhe pranon se është surprizuar nga oferta e bërë nga klubi mabdrilen, ndonëse nuk i kishte humbur kurrë kontaktet me drejtuesit e klubit “merengues”:

“Po të varej nga mua, do të qëndroja gjatë gjithë jetës këtu. Nuk ekziston asnjë vend më i mirë se ky për të luajtur futboll dhe për të jetuar”. Ancelotti ndihet i vlerësuar në Madrid dhe i thur lavde Realit të tij.

Tekniku flet edhe për projektin Superligë: “Si fillim duhet të ulet numri i ndeshjeve që luhen, sepse luhet shumë dhe keq. Ka rënë cilësia e spektaklit dhe lojtarët nuk munden më, disa kanë arritur të refuzojnë edhe thirrjet në skuadrat kombëtare. Ka ardhur koha për të thënë mjaft.

Fitoret, titujt janë ato që masin punën e një trajneri. Sukseset ndikojnë në karrierë, kështu është në çdo sektor. Është e qartë se duke luajtur mirë, mund të arrish më lehtë te rezultati. Unë gëzoj kur fitoj”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Realit të Madridit. / Oversport.tv