Ancelotti: Reali më i mirë e sfidon PSG-në! Mbappe? S’duhet bllokuar veç ai

Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madrid, në prag të duelit kundër PSG në Champions League, ka dalë para mediave dhe ka folur për sfidën e kthimit. Spanjollët duhet të përmbysin humbjen e parë në Paris me rezultatin 0-1 dhe tekniku italian kërkon qetësi dhe durim te skuadra e tij, pasi kjo është një nga ato ndeshjet që mund të vendoset edhe në minutën e fundit.

“Çfarë ka ndryshuar? Skuadra ka pasur mundësi të punojë fizikisht, në ndryshim nga ndeshja e parë. Kemi punuar mirë këtë periudhë. Në Paris nuk jemi paraqitur mirë dhe kemi besimin se mund të bëjmë një ndeshje të madhe nesër. Real Madridi më i mirë mund të konkurrojë me PSG-në më të mirë. Ne pamë PSG-në më të mirë në ndeshjen e  parë dhe nesër do të shohim Realin më të mirë. Edhe Benzema është mirë, tani është ai që ishte para dëmtimit që kishte”.

“Ndeshja e parë? Nuk ishim në gjendje të bënim lojën që kishim planifikuar. Vuajtëm presingun e tyre lart. Nuk arritëm të sulmonim që në fillim, kurse mbrojtja shkoi mirë. Golin e pësuam vetëm në fund. E rëndësishme është që tani të luajmë më mirë. Këtë herë kontributi i tifozëve është shumë i rëndësishëm. Duhet të luajmë ndeshjen që duan ata dhe do ta bëjmë diçka të tillë”.

“Ku i trembeni PSG-së? Nuk mendoj për atë që kam frikë, mendoj se çfarë duhet të bëjmë për të marrë menjëherë topin, për të bërë presing lart. Zakonisht para një ndeshjeje mendoj se çfarë duhet të bëjmë dhe jo çfarë duhet të shmangim.

“Duartrokitje për Mbappe? Historia e Bernabeut thotë se lojtarët e mirë priten gjithmonë me duartrokitje. Tifozët e Bernabeu i pëlqejnë lojtarët e mëdhenj dhe duan ta shohin Realin të luajë mirë dhe të fitojë. Ndeshjen e përgatitim duke menduar që Mbappe do të luajë. Nuk kemi një plan për të ndalur vetëm Mbappe, por edhe për të ndalur Messin, Neymar dhe të gjithë lojtarët e mirë të PSG-së.

Plani është të luajmë në bllok, me top dhe pa top, me intensitet të lartë, të vendosur dhe të durojmë 90 minuta. Duhet të bëjmë një ndeshje të zgjuar, nuk duhet të çmendemi, por thjesht të fitojmë. Duhet të fitojmë dhe goli shënohet shpejt ose në minutën e fundit. E rëndësishme është ta mbajmë gjallë ndeshjen dhe të luajmë më intensitet.

“Kroos? Lojtari që nuk është në 100 për qind të formës së tij nuk mund të luajë në këtë lloj ndeshjeje. Nëse mendoj se Kroos është në 100 për qind të formës së tij, ai luan, nëse mendoj se është në 95% të formës së tij nuk luan. Unë e shoh ekipin të motivuar dhe aspekti mendor është i rëndësishëm. E shoh ekipin mirë, të motivuar, ka entuziazëm”, tha Ancelotti. / oversport.tv